Policia e Shtetit ka dhënë detaje për miliarderin turk, të arrestuar në Himarë.
Në pamjet e publikuara, Faruk Fatih Özer duket teksa arrestohet në dhomën e hotelit.
Për më tepër shihni videon zyrtare të operacionit ‘Brian’ si dhe njoftimin për shtyp.
Vijojnë operacionet për kapjen e personave shumë të kërkuar ndërkombëtarisht.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Brain”.
Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania dhe DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Kapet në Himarë, i shumëkërkuari, 28-vjeçari nga Turqia, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pas shumë kërkimesh në disa qarqe të vendit, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar nga drejtësia turke, si dhe falë përdorimit të metodave proaktive nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Brain”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit turk F. O., 28 vjeç.
Ky shtetas u kap në Himarë, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara. Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, per veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas te tjerë, B. Sh., 36 vjeç, banues ne Tiranë dhe E. H., 37 vjeç, banues ne Durrës, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme, për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/a.r