Krimi i rëndë në familje tronditi Lezhën mbrëmjen e 29 Gushtit. Pjerin Përjaku dhe Gent Përjaku, babë e bir, u vranë më armë zjarri nga Besnik Pjetri.
Autori i dyshuar i ngjarjes ka qenë i martuar dhe i divorcuar prej gjashtë vitesh me vajzën e Pjerinit, motrën e Gentit.
Korespondenti i Panorama bën me dije se viktimat jetonin prej 20 vitesh në Itali.
Ata ishin kthyer siç bënin çdo vit në Lezhë, për pushime, vetëm një ditë para se të vriteshin.
Mbrëmjen që ndodhi krimi, babë e bir, sapo ishin kthyer në banesën e tyre, nga një darkë me të afërm të familjes.
Siç mëson korespondenti i Panorama, ata janë qëlluar nga autori, Besnik Pjetri, pak pasi kishin hyrë në banesë.
Dyshohet se mes ish dhëndrit, gruas dhe familjarëve të saj ka pasur konflikte prej vitesh.
Shkak për sherret e vazhdueshme mësohet se janë bërë vajzat e çiftit të divorcuar, të cilat mësohet se autori nuk i ka takuar që pas ndarjes nga ish gruaja.
Familja e viktimave ka hapur dyert e mortit, ndërsa autori pas ngjarjes është larguar në drejtim të paditur dhe po kërkohet nga policia.
g.kosovari