SHBA ka akuzuar Rusinë se ka militarizuar termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës. Akuza e SHBA-ve vjen një ditë para vizitës së parashikuar nga inspektorët ndërkombëtarë në këtë objekt.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se përveç vendosjes së armëve dhe trupave në lokacion, që është objekti më i madh bërthamor i Ukrainës, Rusia ka hapur zjarr ndaj forcave ukrainase të vendosura në central.
“Lufta rreth centralit duhet të ndalet. Një termocentral bërthamor duhet të jetë në në afërsi të operacioneve luftarake” u tha Kirby gazetarëve.
Rusia ka kontrollin e centralit që kur forcat e saj pushtuan zonën në ditët e para të luftës.
Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer fajin për bombardimet që kanë ndodhur pranë objektit në javët e fundit, duke ngritur shqetësimet për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.
Sulmet e përsëritura kanë nxitur thirrje nga SHBA dhe të tjerë që zona rreth uzinës të caktohet një zonë e çmilitarizuar. Të paktën 10 persona u plagosën të hënën kur forcat ruse bombarduan zonat e banuara përreth objektit, pretenduan zyrtarët ukrainas.
Përshkallëzimi i fundit erdhi përpara një vizite nga një ekip ekspertësh nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së (IAEA) në termocentralin në Ukrainën jugore.
Kirby shprehu mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe i bëri thirrje Rusisë që të sigurojë “qasje të sigurt dhe të papenguar për inspektorët e pavarur”.
Duke mbajtur centralin, presidenti rus Vladimir Putin “mund të mbajë peng Ukrainën në lidhje me aftësitë e tyre të energjisë elektrike”, shtoi ai.
“Termocentrali Zaporizhzhia kontrollon në thelb të gjithë energjinë elektrike për të furnizuar në Ukrainën jugore dhe madje edhe më gjerë. Putin kërkon t’i mbajë peng” tha Kirby, duke shtuar se Moska gjithashtu mund të devijojë një pjesë të prodhimit të energjisë së objektit në Rusi.
/e.d