Sipas ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Cameron Manter, vizitat e të deleguarve amerikano-evropian në Kosovë dhe Serbi, Gabriel Esocbar dhe Miroslav Lajçak, dëshmojnë faktin se ngërçi politik ndërmjet dy vendeve në aspektin e targave dhe kartave të identitetit nuk është zgjidhur ende.
Sipas diplomatit amerikan gjasat që më 1 shtator, në ditën kur fillon ri implementimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitetit, të ketë përshkallëzim të situatës në terren janë të mëdha.
Manter beson se Kurti dhe Vuçiç nuk duan që situata në terren të përshkallëzohet përsëri më 1 shtator dhe se të dy janë të përkushtuar për një zgjidhje paqësore.
“Por ndoshta njëri prej tyre mendon se ia vlen t’i përmbahet një parimi që kontribuon në rritjen e rrezikut të dhunës. Besoj se duhet të realizohet reciprociteti, e kam dëgjuar atë për të cilën ka folur Kurti”, ka shtuar.
Gjithë në këtë mes ish-ambasadori mendon se zgjidhja e problemit është ekskluzivisht në dorën e Vuçiç’it.
“Nëse ai dëshiron të shohë dhunë – le ta bëjë atë. Por unë shpresoj se ai nuk e dëshiron këtë. Dhe shpresoj se ai do të jetë në gjendje të përshtatet me këtë”.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një adresim publik gjatë ditës, ka folur për ngërçin politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në aspektin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitetit.
Sipas, Vuçiç, Serbia në këtë rast është e gatshme t’i pranojë dokumentet e Kosovës, por vetëm me një kusht.
Kushti sipas, Vuçiç, është që lëvizja me dokumente të Kosovës në Serbi të lejohet vetëm nëse një gjë e tillë nuk interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës e as si paragjykim për sovranitetin.
“Pajisje me letërnjoftime nga Prishtina bëhet vetëm për arsye praktike, për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës”.
Lidhur me këtë “kompromis”, Vuçiç ka thënë se kërkojnë garanci nga BE-ja.
“Kërkojmë që çdo serb nga Veriu të hyjë në territorin e Kosovës dhe të largohet kur të dojë, nëse e konfirmojnë, ne e kemi zgjidhur një problem të vogël”.
Ndërsa sa i përket targave, Vuçiç, tha se tashmë është e qartë se më 1 shtator do të nis së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë.
“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”, tha ai.
Sipas presidentit serb, bisedimet me palën kosovare ishin “interesante”, por “të pasuksesshme”.
Ai tha se Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. Kjo është kërkesë e Prishtinës që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.
“Harrojeni këtë dhe mos ejani në Beograd me histori të tilla sepse janë të pakuptimta”, ka shtuar ai.
“Për çështje të tjera jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje kompromisi”./m.j