Nismën e PS për ndryshime në ligjin për dekriminalizimin, deputeti demokrat, Luan Baçi, e sheh si një strategji për të goditur lidershipin e opozitës. Në studion e lajmeve të MCN TV, Baçi tha se kryeministri e ka bërë këtë lëvizje për shkak të opozitës së rinovuar që ka përballë.
“PD e ka thënë shpesh dhe unë jam për hapjen e dosjeve, verifikimin e politikanëve të të gjitha niveleve. Por një nismë e marrë në situata të tilla, me një qëllim të caktuar, një nismë që po komentohet si antiMeta apo antiBerisha. Është për të përjashtuar nga politika individë të caktuar.
Pushteti i sotëm i trembet lidershipit të tyre. Edi Rama po hyn në vitin e 10 pa opozitë. Opozita ka qenë e shitur dhe në bashkëpunim me Edi Ramën. Duke u vënë përballë një realiteti të ri, prej rreth një viti, të gjitha zhvillimet në këtë periudhë kanë treguar se PD është krejt tjetër.”
Sipas tij, ligji për dekriminalizimin mund të amendohej që në momentin që u diskutua dhe u miratua edhe me votat e vetë maxhorancës aktuale.
“Në dorë e kanë pasur qëkur u propozua ligji i dekriminalizimit. Nga ky i fundit janë përjashtuar vetëm politikanë të maxhorancës aktuale. Në dorë e kishin ta amendonin këtë ligj. Është një propozim qesharak, inatçor.”
Sa i takon hetimit të SPAK për Ilir Metën, Baçi theksoi se arsyeja e vërtetë është frika e Ramës nga rikthimi i tij në politikën aktive me Partinë e Lirisë.
“Përballë kësaj PD tjetër, Rama e di mirë që do t’i ketë ditët e numëruara. Nismat janë për të goditur lidershipin e opozitës. Edi Rama e zgjodhi vetë Metën president. E kishte në dorë, tani si ka mundësi që pas 25 korrikut na nxjerr një dosje, një lojë qesharake dhe banale.
Nuk më lidh asnjë gjë me Ilir Metën, por më duket e habitshme që pas 25 korrikut filloi një luftë ndaj Ilir Metës. Tregon që kanë frikë prej tij. Loja e Ramës është për të tërhequr vëmendjen nga papunësia dhe largimet e boshatisja e vendit.”/m.j