Ish-deputeti Halit Valteri ka reaguar ndaj akuzave të Ilir Metës. Valteri thotë se kishte zgjedhur të mos reagonte, por meqë kreu i Partisë së Lirisë e ka akuzuar për lidhje me Vjenën dhe inceneratorët, ka vendosur t’i japë një përgjigje.
Ish-deputeti thekson se denoncimi i tij ka ardhur pas 30 vitesh që Meta nuk e lëshoi karrigen e politikanit duke vjedhur vazhdimisht e duke manipuluar gjykatat.
“Të paktën këtë herë jepja atyre se nuk do të duhen më, mos u trego zemërgur siç u bëre në 2011, që i fshehe milionat e eurove tek shtëpia e Luan Pobratit dhe më pas shkove dhe i rimore, e i ndjeri iku nga kjo jetë me pishmanin se nuk i dhe as 100 euro për shërbimin e bërë”, shkruan Valteri në reagimin e tij.
Për ata që nuk e dinë po ju sjellim një version të shkurtër të kësaj historie që në fakt është një dëshmi për t’u marrë në konsideratë nga SPAK.
Në vitin 2010 kur i ndjeri Dritan Prifti publikoi videon me Ilir Metën, Prokuroria nisi menjëherë hetimet dhe ngjarja mori përmasa të mëdha.
Ilir Meta në panik se do të niste edhe kontrolli fizik i banesave të tij, filloi të gjente vende për të fshehur paratë që kishte në shtëpi.
Operacionin e nisi me bashkëpunëtorët e tij më të afërt që atë kohë ishin Petrit Vasili dhe Spartak Braho.
Kjo ngjarje që do tregojmë është dhe një nga sekretet që ndodhen në “Çantën e Zezë” të Baba Takut, arsye për të cilën Meta, edhe pse i ka ikur nga partia nuk e sulmon asnjëherë.
U morën paratë që sipas dëshmive kanë qenë rreth 30 milionë euro dhe u dërguan te shtëpia e Luan Pobratit.
Për parantezë, Luan Pobrati ka qenë shef i sigurimit të Shtetit për Universitetet dhe praktikisht dhe shefi i parë në punën që ka bërë Ilir Meta si bashkëpunëtor i Sigurimit.
Pobrati pas vitit 1997 ka punuar si këshilltar i Ilir Metës dhe mbahet mend si njerëzit ‘babaxhan’ për ata që e kanë njohur.
Duke qenë me bindje të majta dhe i lidhur ngushtë me opozitën e asaj kohe, Meta mendoi se shtëpia e Pobratit do të ishte e fundit që do të kontrollohej, edhe pse ai ka qenë një armik i Berishës.
Sipas dëshmisë që Voxnews.al disponon paratë iu çuan Pobratit edhe pa miratimin tij, dhe mbushën thuajse një dhomë të shtëpisë.
Luani i ndjerë nuk dilte nga shtëpia nga frika se dikush do të merrte vesh dhe mund edhe t’i vidheshin lekët që nuk ishin të tijat.
Si ish-sigurims, sekretin e mbajti dhe nga djali e bashkëshortja. Kur situata po qetësohej dhe nga Meta nuk po vinte asnjë sinjal se kur do t’i merrte, ai i dërgon një mesazh, që në fakt ishte gjysmë shaka dhe gjysmë kërcënim.
“Hajde merri deri të shtunën, ose do i hedh te koshi i plehrave”.
Paratë u morën siç u çuan po nga dora që kishte dijeni, që ishin vetëm katër persona, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Spartak Braho.
Pobrati në këtë rast ishte një person që u zgjodh nga Meta me kujdes, pasi kishte bërë llogaritë që shtëpisë së tij, edhe pse modeste pranë ambasadës greke nuk do t’i afrohej njeri.
Iu çuan pa miratimin e tij dhe ai kurrë nuk foli për këtë histori që në fakt ishte thjesht një favor ndaj një bashkëpunëtori sigurimi që 20 e kusure vite nga ajo kohë i kishte treguar se një shoku i klasës donte të arratisej nga Shqipëria.(Voxnews)
/a.r