Krimi në familje tronditi mbrëmjen e kaluar fshatin Greshicë të Mallakastrës. 37-vjeçari Mariglen Muhametaj vrau babain e tij 73-vjeçar, Qemal Muhametaj, duke e goditur me sende të forta.
Menjëherë pas krimit autori u largua, ndërsa u arrestua nga policia pas disa orësh ndjekje në fshat. Kryeplaku i fshatit Kastriot Hysenaj e përshkruan 37-vjeçarin si tip të mbyllur, ndërsa thotë se kishte edhe probleme të shëndetit mendor. Ai shprehet se ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e një debati të çastit, pasi atë e bir nuk kishin konflikte.
“Më mori i plotfuqishmi i zonës. Kur vajtën aty e gjetëm të vrarë. Djalin nuk e gjetëm aty. Në momentin që kishte shkuar xhaxhai, ai kishte ikur poshtë. Ka qenë i sëmurë. Ishte djalë i qetë. Nuk e dinim që do arrinte deri në këtë gjendje. Nuk ka pasur konflikte. Rrinte me dhi. Nuk e kam parë me njerëz negativë. Ka qenë tip i mbyllur.
Për mendimin tim ka qenë e çastit. E ëma është e paralizuar. Në momentin që kam ardhur unë çdo gjë kishte mbaruar. I ati ishte shumë njeri i qetë, punëtor, nuk ngatërrohej me njeri. Na duket një gjë absurde. Probleme mendore ka pasur, nuk e di nëse kurohej. Nuk ishte djalë që të merrej me shoqëri të keqe”, thotë kryeplaku.
/a.r