Akullorja me origjinë franceze ‘Hagen Dazs’ me datë skadence 08.04.2023 nuk duhet të konsumohet.
Sipas sistemit të njoftimit të menjëhershëm për ushqimin, pas analizave laboratorike të kryera në Francë është konstatuar prani e 2-kloretanolit në akulloret me vanilje.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se ka marrë masat e nevojshme për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit.
Pyetur nga Euronews Albania AKU thotë se ky lloj i akullores nuk është në sasi të madhe në tregun shqiptar, po pa specifikuar sasinë e saktë.
AKU po ashtu bën thirrje për konsumatorin që produktin të mos e konsumojnë por ta kthejnë pranë subjektit ku e kanë blerë.
Franca e ka lëshuar alarmin për rrezik të mundshëm nga kjo akullore që prej korrikut. Së fundmi është kërkuar zyrtarisht tërheqja nga tregu i kësaj akulloreje./m.j