Infermierja 52-vjeçare, Rebecca Searing, po përballet me burgim të përjetshëm pasi theri me thikë për vdekje burrin e saj, 57-vjeçarin Paul Searing, i cili ishte në gjumë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në shtëpinë e tyre, më 12 shkurt të këtij viti.
Sipas “The Sun“, para se të kryente krimin, infermierja shkroi në kompjuterin e saj “është koha për të vrarë“. Më pas, në panik e sipër, Rebecca telefonoi ambulancën për ndihmë duke raportuar veprimin e saj.
Shërbimet e urgjencës shkuan në vendngjarje, por bashkëshorti i saj Paul, nuk mundi të shpëtonte dhe vdiq në spital nga plagët e marra.
Kur policia mbërriti, ata gjetën Rebecca-n të ulur pranë një kompjuteri në katin e poshtëm, ndërsa mjekët ndihmës kujdeseshin për burrin e saj në dhomën e gjumit.
Ajo u tha oficerëve: “Nuk mund ta besoj që unë e bëra këtë gjë.”
Në shtëpi u gjet edhe një thikë e përlyer me gjak.
Zonja Searing, e cila dyshohet se ishte ‘’e ‘bllokuar’ në një martesë të palumtur’’, me akuza për abuzim në familje nga të dyja palët, mohoi vrasjen e burrit të saj duke thënë se ajo thjesht “humbi kontrollin” në atë kohë.
Në Gjykatë u paraqitën edhe prova të tjera, ku u tha se në kompjuterin e Rebecca-s u gjetën dokumente që kishin lidhje me vrasje.
Një pjesë e provave kishte fjali si: “Mbushja mendjen vetes në fillim, nëse është koha për të vrarë.”
Ajo i tha gjykatës: “Gjëja e fundit që më kujtohet është se Paul tha se jam i pashpresë dhe i padobishëm. Nuk mbaj mend që kam thirrur ambulancën, nuk mbaj mend që e kam therur me thikë dhe nuk mbaj mend të jem ndierë e frikësuar.“
Inspektorja Lydia George, e cila merrej me këtë çështje, tha: “Paul Searing humbi jetën në një moment dhune ekstreme. Edhe pse gruaja e tij mund të ketë një lloj pendimi për atë që ka ndodhur, kjo nuk mund të zhbëjë pasojat e veprimeve të saj. Ajo tani përballet me një dënim të përjetshëm dhe një kohë të konsiderueshme pas hekurave.“
Gjyqi sot e deklaroi atë fajtore dhe ajo nuk tregoi asnjë farë emocioni kur u shpall vendimi. Zonja Searing do të dënohet në të njëjtën gjykatë të mërkurën, më 7 shtator./m.j