Në korrik të vitit 2016 Prokuroria e Krimeve të Rënda në kuadër të operacionit “Ballkan” lëshoi 30 urdhërarreste me akuzën për trafik ndërkombëtar të drogave të forta. Një ndër të arrestuarit ishte dhe shtetasi J.M., drejtues i grupit.
Kjo organizatë akuzohej për trafikimin e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë.
Pak ditë pas arrestimit, J. M., për arsye shëndetësore transferohet në Spitalin e Burgut e më andej drejt një spitali privat në zonën e Ali Demit.
Dhoma nr.11 ruhej me një togë policësh të drejtorisë së burgjeve, të cilët ruanin se mos i paraburgosuri largohej. Por ata nuk kishin asnjë tagër të ndalonin vizitorët të hynin në dhomën ku ndodhej kreu i bandës.
Pas më shumë se 1 muaji që drejtuesi i grupit ishtë në ambientet e spitalit privat, një zyrtar i lartë i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve futet në dhomën ku ishte i shtruar J. M. Vizita e zyrtarit u bë me kërkëse të të pandehurit.
“Ishte një bisedë e tensionuar. Me të bërtitura dhe kërcënime. Duke qënë se në dhomë ndodhej një epror i yni, u afruam dhe hapëm derën. Eprori i qetë në fytyrë na urdhëroi të dilnim jashtë.
Biseda vijoi edhe rreth 20 minuta me tone të larta nga ana e J. M. Sipas tij, dy zyrtarë të LSI konkretisht shtetasja E.G dhe shtetasi E.T i kishin marrë në formë rryshfeti plot 170 mijë euro cash si dhe një automjet Wolkswagen Golf7 me pretendimin për ta liruar nga burgu me arsyetimin e shkaqëve shëndëtësore.
Por kishin kaluar mbi 2 muaj dhe premtimi nuk ishte mbajtur. I burgosuri kërkonte nga eprori ynë që të ndërhynte që ose ta lironin, ose E.G dhe E.T t’i kthenin lekët mbrapsht. Eprori u largua dhe nuk u pa më aty. Pas 1 muaji shtetasi J.M u transferua sërish në spitalin e Burgut, e sot është duke vuajtur dënimin në burgun e Reçit në Shkodër”.
Kjo është dëshmia e një punonjësi të Policisë së Burgjeve siguaruar nga redaksia jonë të cilën vendosëm ta bëjmë publike.
Në vijim do kemi zbërthim të plotë të ngjarjes, fakteve dhe personave të përfshirë.
Kush është zyrtarja E.G? Kush është zyrtari E.T? A u kthye shuma 170 mijë euro? Po automjetin kush e mbajti? Përse nuk u mbajt premtimi për lirimin e të burgosurit J.M?/DITA