Ndryshimet në teknikën e kolaudimit të makinave kanë nxjerrë në pah abuzimet e theksuara që bëjnë tregtarët e makinave me uljen e kilometrave të automjeteve që shesin. Siç duket edhe në fotot e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, janë një mori rastesh kur gjatë kolaudimit është zbuluar se makinave i është ndryshua odometri.
Pas konstatimit të kësaj anomalie, teknikët i kanë kërkuar pronarëve të makinave që të tregojnë kilometrat e vërteta që kanë automjetet dhe më pas të mund të marrin certifikatën e kontrollit teknik.
Rastet e zbuluara janë tepër flagrante, ku makina me më shumë se 400 000 kilometra janë hedhur në treg si automjete me rreth 250 000 kilometra të bëra, gjë që abuzivisht rrit vlerën e saj. Një rast tjetër abuziv është kapur në Peshkopi, ku një makinë me 652 000 kilometra është shitur si makinë me 280 000 kilometra.
/a.r