Duke prezantuar sot projektin për kamerat trupore të policisë së shtetit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se kjo është mënyra më e mirë për të rritur besimin e qytetarëve te policia e shtetit.
“Kamerat në trupat e efektivëve sjellin jo vetëm transparencën e punës së policisë, por shmangin edhe abuzimet me detyrën” – tha Tahiri.
Në aktivitetin ku janë të pranishëm drejtues të Policisë, kryeministri i vendit dhe përfaësues të huaj, Tahiri tha se është bërë një punë e madhe për të krijuar besim te qytetarët.
“Kjo është mundësia më e mirë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë më mirë. E nisëm me Tiranën me kamerat e trupit dhe jemi mjaft të bindur se produkti i këtij revolucioni do të jetë modeli ynë më i mirë për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Kamera trupore është instrumenti më i fuqishëm antikorrupsion” – tha Tahiri.
***
Kryeministri Edi Rama e quajti si një transformim epokal projektin e pajisjes me kamera trupore për efektivët e Policisë së Shtetit.
“I mësuar tanimë me ecurinë e një programi që mbështetet në një vizion dhe në një plan rritjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë të policisë së shtetit, ku paralelisht me punën e betejat e përditshme, me sukseset dhe edhe me të metat e përditshme, punohet intensitivisht për një transformim epokal, që është vënia në shfrytëzim e teknologjisë së lartë, për të transformuar nga rrënjët marrëdhënien e policisë së shtetit me qytetetarët. Pak muaj më parë, ne u angazhuam që shumë shpejt efektivë në terren do të pajisen me kamerat e trupit, çka i bën të monitorueshëm në çdo sekondë të orarit të tyre në krye të detyrës, në çdo aspekt, vendodhja, lëvizja, komunikimi me qytetarët, reagimi ndaj çdo sjelljeje apo veprimi që bie ndeshe me ligjin. Dhe ja ku jemi sot, për të nisur në terren këtë projekt shumë ambicioz për transfomirmin rrënjësor të Policisë së Shtetit”, tha Rama.
“Ky është një proces i pandarë nga angazhimi i përditshëm dhe na jep mundësinë si një vend jo shumë i zhvilluar të bëjmë një kapërcim epokal. Së pari, për të realizuar një marrëdhënie shumë më cilësore mes policisë e qytetarit. Së dyti për të realizuar një betejë të përditshme shumë më cilësore ndaj krimit të organizuar, korrupsionit apo shkeljeve të ligjit në territorin e bashkëjetesës qytetare”.