Ish-Presidenti i SHBA Donald Trump ka paditur Departamentin Amerikan të Drejtësisë për kontrollet e kryera nga FBI në vilën e tij në Mar-a-Lago në Florida, ku u sekuestruan dosje të ndryshme.
Ekipi ligjor i Donald Trump ka kërkuar që të pezullohet hetimi për dosjet e sekuestruara dhe në padinë e ngritur kërkohet gjithashtu që dokumentet që u morën nga FBI të mbikëqyren nga një avokat i pavarur.
11 dosje të ndryshme me informacion të klasifikuar u morën në fillim të muajit Gusht në rezidencën e Donald Trump në Mar-a-Lago, raporton BBC.
Trump po hetohet për keqpërdorim të mundshëm të dokumenteve shtetërore. Pasi largohen nga pushteti, presidentët amerikanë duhet t’i transferojnë të gjitha dokumentet dhe emailet e tyre në një agjenci qeveritare të quajtur Arkivi Kombëtar. FBI po heton nëse ish-Presidenti Trump i ka keqpërdorur informacionet që ka patur duke i dërguar nga Shtëpia e Bardhë në vilën e tij në Mar-a-Lago në Florida.
Nga tjetër Donald Trump ka mohuar çdo pretendim të tillë, duke thënë se informacioni në ato dosje ishte i deklasifikuar.
Në fillim të muajit agjentët e FBI zbarkuan në rezidencën e Donald Trump pas autorizimit që dha një gjykatë federale amerikane.
Sipas ekipit ligjor të Trump, këto veprime bëhen për të penguar kandidimin përsëri të Donald Trump për President të SHBA.
/a.r