Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bëri të ditur se sistemi i ri për kontrollin teknik të mjeteve, që është vënë në përdorim, i jep fund abuzimit me odometrin, pasi përditëson statusin e kilometrazhit dhe nxjerr historikun.
DPSHTRR informon se certifikata e re e kontrollit teknik që lëshohet në çdo qendër kontrolli teknik, është tashmë e një modeli tërësisht evropian.
Në certifikatën e re të kontrollit teknik janë shtuar tregues të elementeve si kilometrazhi për pesë kontrolle teknike të mjetit (historiku i odometrit ndër vite), për një periudhë prej 10 (dhjetë) vite, vendi/data e kryerjes së kontrollit teknik, kategoria e mjetit, rezultati i testimit, si dhe QR Code për siguri e verifikim të lehtë, si edhe barkodet.
Kjo, sipas DPSHTRR-së, ndikon në rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit për qytetarin, mbrojtjen e konsumatorit e të tregut automotiv, si edhe standardizimit të proceseve e sistemeve të kontrollit të flotës.
/a.r