Shqiptarët dhe serbët që jetojnë në veri të Kosovës, e ndjekin me interes dialogun në Bruksel mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit. Ata i tremben asaj që Prishtina e konsideron një kërcënim për një konflikt të ri. Shumë thonë se mosmarrëveshjet mes liderëve nuk janë të mira, së pari për bashkëjetesën mes vetë qytetarëve.
“Duhet të jemi pak më të vendosur, mos të lejojmë të ndodhë gjë. Të merren masat para se të ndodhin problemet”, tregon një qytetar i Mitrovicës. “Bllokadat kurrë nuk janë të mira, nuk është mirë as për ne as për ata”, thotë një tjetër.
Serbët përllogariten në 5% të popullsisë prej 1,8 milionë banorësh të Kosovës. Edhe pse ata që jetojnë në veri të Mitrovicës nuk njohin as qeverinë e as institucionet e Prishtinës, përsëri thonë se nuk duan tensione e konflikte të reja.
“Mendoj se situata nuk do të shkojë drejt përshkallëzimit. Mençuria do të prevalojë me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Kurti sepse kjo është më e mira për ne serbët dhe shqiptarët”, thotë një banor serb. “Kush do të luftojë, të marrë fëmijët e tij e të shkojë në luftë, e jo të nxisë luftë me fëmijët e të tjerëve, sepse për ta, fëmijët janë të shenjtë”, thotë një tjetër.
/a.r