Lumir Abdixhiku duket se e ka një problem serioz me keqkuptimin që ka për postin e kryetarit të LDK.
Babai i asaj partie Ibrahim Rugova ishte qendra e rëndesës së politikës së Kosovës dhe njerëzit e takonin aty ku ai rrinte dhe jetonte.
Për njëfarë kohe “Republika e Kosovës” ka qenë 30 metra katror sa zyra e tij.
Aty shkonin diplomatët e huaj, kryeministra apo president, aty shkonin dhe zyrtarët e partisë nga Llapi e Vita. Për një farë kohe ajo ishte gjithë jeta politike e Kosovës.
Lumir Abdixhiku është pasues i Ibrahim Rugovës, por jo pasardhës apo trashëgimtar i tij. Ai është thjeshtë një kryetar i radhës i LDK.
Ai mund të përdor zyrën e Ibrahim Rugovës, madje dhe sendet e tij të zyrës, por jo historinë e tij.
Ai nuk mund t’i imponojë Presidentit të Shqipërisë të shkojë nëpër seli partish.
Bajram Begaj nuk është president politik.
Nuk është as ndonjë partizan i së majtës apo së djathtës në Shqipëri.
Ai është thjesht një president jo politik, i cili ka përkushtimin të jetë korrekt me protokollin e shtetit dhe seriozitetin e institucionit.
Teka të tillë kalamajsh, që mendojnë se është rasti që t’i tregojnë Presidentit të Shqipërisë se ka një farë rëndësie, janë fyese për LDK-ë.
LDK është në themel të shtet-formimit të Kosovës, dhe ka mundur të ketë raporte korrekte me udhëheqësit e Shqipërisë edhe kur kanë pasur konflikte poltike.
Me Bajram Begaj nuk ka askush konflikt politik, as në Shqipëri.
Është thjeshtë një president jo politik, me të cilin është e tepërt të bësh politik për të rënë në sy, që kryetari i LDK të ndjehet si president dhe Presidenti i Shqipërisë duhet të ndjehet si vartës i tij.
Por, pavetëdijshëm pozicionimi i Lumirit brenda zyrës e shpjegon edhe pozicionin e tij për vetën.
Ai ka rëndësi vetëm brenda zyrës, prandaj s’e tejkalon dot.
LDK-ja është partia e tij, po ky assesi të bëhet kryetar i saj.
Prandaj, opozitarizmi i përmblidhet në rima reperësh, fjalime të një çuni të urtë në Kuvend ku nuk e kritikon dot Kurtin pa e lëvduar fillimisht Konjufcën.
Është ekonomist, por kritikat më të ashpra për ekonominë Kurtit vazhdon t’ia bëjë Avdullah Hoti e në raste Hikmete Bajrami, gjithmonë duke u kujdesur mos e lëndojnë kryetarin.
Çfarë të thuhet më tepër kur e gjithë filozofia e tij opozitare është – e ka thënë me gojën e tij – “të rri e të pres dështimin e tjetrit/Kurtit”.
Është e pamundur të kompensohet mungesa e qëndrimit brenda, duke provuar të jap një qëndrim për presidentin e Shqipërisë, edhe pse “eja në zyrë” është më shumë frikë sesa qëndrim.
Kurse shembulli me Ilir Metën është një arsyetim që nuk blihet.
Meta nuk ka shkuar në selinë e LDK-së si president i Shqipërisë, por si politikan shqiptar. Ai nuk po investonte në atë takim në ndjenja përbashkimi kombëtar, por në aleancën e ardhshme politike.
Do ta dinte edhe Lumiri këtë, sikur të dilte ndonjëherë nga zyra.
/Albanianpost.com