Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, në një intervistë për gazetën “SOT”, i pyetur mbi debatin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ku Autoriteti i Dosjeve në një letër drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, aludon se ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka qenë spiun i ish-Sigurimit, tha se ish-Presidenti Ilir Metaj firmoste dekretet si Ilir Meta. I pyetur se si ka mundësi që Meta u ka shpëtuar filtrave të verifikimit të kryera nga institucionet ligjzbatuese në vend, Koçi u shpreh se vetëm korrupsioni e shpjegon këtë dukuri dhe ndonjë lojë konspirative.
Ai deklaroi se nëse verifikimi përfundimtar do rezultonte në vërtetësinë e dyshimit atëherë e gjithë veprimtaria e këtyre ish komisioneve do rrëzohej. Lidhur me faktin se Meta nxitoi dhe sulmoi Autoritetin e Dosjeve, ndërkohë që këmbëngul se është i pastër dhe se e gjitha është një sajes politike e ushqyer nga kryeministri Edi Rama, deputeti tha se duhet që të besojmë verifikimin përfundimtar, ndërsa tha se nëse pretendimi i Autoritetit të Dosjeve do rrezohej atëherë Meta do përfitonte shumë politikisht.
Lidhur me shkrirjen e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe krijimin e Partisë së Lirisë, deputeti e cilësoi si një lëvizje për të mbuluar gjurmët, ndërsa tha se LSI është pronë private e familjes Metaj. Sipas tij, ata ja ndërrojnë emrin dhe lidershipin sipas nevojës dhe interesit familjar. Teksa foli për bashkëpunimin mes Ilir Metës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha,të cilët kanë premtuar se do të bashkëpunojnë fort me njëri-tjetrin, me qëllim rrëzimin e qeverisë, ai tha se ata kërkojnë që të tentojnë 14 shtatore të rinj. Deputeti deklaroi se ata duan kryengritje me dhune, ndërsa vijoi më tej duke thënë se dihet që dhuna është instrument non grata.
-Zoti Koçi, në Shqipëri është rikthyer debati për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për shkak se Autoriteti i Dosjeve në një letër drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, aludon se ish-Presidenti i Shqipërisë, tanimë kryetar i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka qenë spiun i ish-Sigurimit. Sa qëndron ky pretendim sipas jush?
Këtë e di më mirë shtetasi Ilir Metaj. Një gjë është e sigurt; ish Presidenti Ilir Metaj firmoste dekretet si Ilir Meta. Tani ai është edhe Kryetar LSI-je dhe Kryetar i PL-je. Gjasat janë që përdorimi i mbiemrit jo zyrtar të jetë një argument vërtetimi të dyshimit të hedhur në publik. Vetë lidhja e fortë me Sali Berishën është sërish një argument plus. Gjithmonë është besuar se Metaj ka qenë njeriu i Berishës te e majta.
-Dakord, por po flasim për Ilir Metën, njeriun që ka dominuar politikën shqiptare prej më shumë se 30 vjetësh. Kështu që me të drejtë kushdo pyet, si ka mundësi që Meta u ka shpëtuar filtrave të verifikimit të kryera nga institucionet ligjzbatuese në vend?
Vetëm korrupsioni e shpjegon këtë dukuri dhe ndonjë lojë konspirative. Të ishe spiun i Berishës e kaloje më lehtë Komisionin Mezini në 96-ën. Për Komisionin Bezhani s’kam koment. Ndofta ndonjë neglizhence e pafalshme ka ndikuar në këtë rast. Sidoqoftë nëse verifikimi përfundimtar do rezultonte në vërtetësinë e dyshimit atëherë e gjithë veprimtaria e këtyre ish-komisioneve do rrëzohej dhe turpërohej.
-Menjëherë pasi plasi kjo “bombë”, Meta nxitoi dhe sulmoi Autoritetin e Dosjeve, ndërkohë që këmbëngul se është i pastër dhe se e gjitha është një sajesë politike e ushqyer nga kryeministri Edi Rama. Tani kë duhet të besojmë ne Metën apo Autoritetin e Dosjeve?
Do besojmë verifikimin përfundimtar. Por nëse pretendimi i Autoritetit te Dosjeve do rrëzohej atëherë Metaj do përfitonte shumë politikisht. Kështu që besoj se Autoriteti e ka matur prapanicën mire kur ka kërkuar ndryshim të ligjit që do çonte në verifikimin e rastit. Sidoqoftë ndryshimet duhen bërë shumë shpejt që të kemi një skanim të rreptë të figurave politike që i janë shmangur me konspiracion lustrimit.
-Kuvendi i udhëhequr nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike (pjesa e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj), ka nisur ndryshimet në ligjin e Dosjeve, Dekriminalizimit dhe Lustracionit, me qëllim, nxjerrjen përfundimisht nga politika të personave që ka qenë spiunë apo bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit. Si ju duket kjo iniciativë dhe a mendoni se do ketë sukses?
Pa diskutim që publiku kërkon transparencë urgjente për çdo rast të dyshuar. Besoj se edhe Ilir Metaj ka interes të kryhet sa me shpejt amendimi i ligjit përlustracionin. Vjeshta po na pret me padurim për të realizuar një detyrim ndaj të vërtetës për çdo individ qëja ka dredhur mekanizmave të deritanishëm ligjore.
-Në korridoret e politikës ka zëra se dosjen e Metës e hodhi në “treg”, Ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili thuhet se pasur akses të plotë mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në vitet e largëta 1992-1997. Ju si mendoni?
Berisha e ka shumë xhan Ilir Metajn. Unë nuk besoj te kjo. Ata janë një dyshe e një tangoje të vjetër që kërcehej në bodrumet e politikës.
-Ndërkohë në kulmim e këtyre debateve, gjithashtu aludohet se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka qenë spiun i Gazidedes dhe gjatë këtyre 30 viteve është mbajtur “peng”, nga ish-kryeministri Sali Berisha. Çfarë dosje mund t’i ketë Berisha-Metës dhe pse e mban “peng”?
Po flasim për të njëjtën dosje prej fillimit të intervistës. Berisha dhe Metaj mbajnë peng njeri tjetrin. 21 Janari i bashkon më fort se çdo gjë tjetër. 4 viktimat e vrarë në bulevard janë kurbani i dashurisë së çiftit Berisha Metaj. Më pas vijnë dhjetëra afera dhe pelivanllëqe politike që qelbin dynjanë. Shkarkimi i Ben Rakipit është njeri prej tyre. Apo takimi i Dhjetorit 98.
-Pra ju po thoni se 21 janari është vepër e çiftit Berisha-Meta?
Padyshim! 21 Janari i vitit 2011 është turpi i politikës dhe drejtësisë shqiptare. Është dita e dhunës së armatosur mbi demonstruesit paqësorë. Është dita e plumbave mbi lirinë, mbi demokracinë. 21 Janari dëshmon sesi shteti përdoret si pushkë për interesa private politike dhe sesi kanuni është ngulitur në mendësinë e disa politikanëve që fatkeqësisht kanë drejtuar vendin për shumë vite. Në 21 Janar 2011 u vranë 4 të pafajshëm, të cilët tashmë me ligjin e ri mund të shpallen dëshmorë të atdheut. SPAK e ka për detyrë ta shlyejë këtë turp të Shqipërisë, duke ndëshkuar fajtorët urdhërdhënës. Ata që haptazi u përpoqën të fshijnë gjurmët e krimit publik. Dëgjoj përfaqësues të PD që ulërijnë për vjedhje votash, duke interpretuar përgjime të përzgjedhura e të diskutueshme. Për luftë politike mund të thotë dikush. Po a ka moral të pretendosh për drejtësi për krime të pretenduara e të “sofistikuara”, kur ti nuk guxon të kërkosh drejtësi për krime të ndodhura në sy të gjithë popullit?! Krimet publike të hetohen dhe të ndëshkohen të parat.
-Si i shihni kërcënimet me revolta të ish-kryeministri Sali Berisha. A janë një mesazh edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe?
Sali Berisha nuk ka hallin e Partisë Demokratike por të familjes së tij. Mesazhi që kërkon të japë është kërcënimi se po u prek nga drejtësia do të këtë kryengritje masive. Është mesazh më shumë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Berisha është kartë e djegur.
-Ish-presidenti Ilir Meta një ditë pasi u zhvesh nga kostumi i Kreut të Shtetit, “shkriu”, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe krijoi Partinë e Lirisë. Si ju duket kjo lëvizje?
Është një lëvizje për tëmbuluar gjurmët. Një fletë me shumë në dosjen Metaj. LSI është pronë private e familjes Metaj. Ata ja ndërrojnë emrin dhe lidershipin sipas nevojës dhe interesit familjar.
-Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë premtuar se do të bashkëpunojnë fort me njëri-tjetrin, me qëllim rrëzimin e qeverisë. A besoni se do të kenë sukses?
Kërkojnë të tentojnë 14 shtatorë të rinj. Domethënë kryengritje me dhune. Dihet që dhuna është instrument non grata. S’mund të kenë kurrë sukses. Shqipëria nuk mund të kthehet non grata.
-A ka ardhur koha që institucionet e drejtësisë shqiptare të nisin hetimet për personat e shpallur “non grata” nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe?
Sigurisht që po. Drejtësia është vonuar. S’ka pse të vonoje sërish. Duhet të veprojë mbi të paprekshmit e oligarkisë politike dhe financiare.
-Le të ndalemi pak tek çështja e ndëshkueshmërisë, pasi shumë zyrtarë që janë arrestuar dhe akuzohen nga drejtësia janë pjesë e Partisë Socialiste. Mendoni se PS duhet që të ketë një lloj përgjegjësie?
Mea Culpa duhet që të aplikohet nëse një forcë politike zgjedh përfaqësues të saj me ndërgjegje të plotë edhe nëse e di se ai është fajtor. Partitë politike nuk kanë instrumente të natyrës hetimore dhe përgjithësisht vendos besimi dhe sjellja e deriatëhershme e një personi. Në rastin e një vendi si Shqipëria, ku ndëshkueshmëria ka qenë thuajse zero për klasën politike, Partia Socialiste më shumë duhet që të meritojë vlerësim sesa një qasje që ti kërkohet kjo meaculpa. Nga ana tjetër, rasti më kulminant ka qenë kur Prokuroria vendosi që të arrestojë disa figura që drejtonin gardën e republikës dhe Berisha e refuzojë, pra i dha shkelmin shtetit ligjor dhe për të mos e nxitur më tej këtë qasje antishtet ish-ambasadori amerikan e quajti sjellje shtetërore sepse kishin frikë se mund të bëhej edhe me e dëmshme më pas.
-Ju keni qenë nga ata që kanë bërë edhe denoncime dhe keni pranuar edhe gabime ku pa pasur. A duhet që ta bëjnë të gjithë këtë?
Mendoj se po, sepse çdo person publik edhe qytetarët sa herë që identifikojnë shkelje të ligjit e kanë për detyrë që të denoncojnë. Në rastin e politikanëve e udhës do ishte që kjo të ishte edhe qasje politike më shumë sesa të sillet si prokuror apo gjyqtar. E vërteta është që unë edhe më parë kam denoncuar edhe në prokurori madje kanë qenë edhe nga Partia Socialiste, pasi më është dashur që për denoncime që kanë të rrezikshme në Fier i kam denoncuar dhe mendoj se ky mund të jetë një fenomen më shumë se fierak. Ka akoma individë që përfaqësojnë fuqinë e krimit të organizuar dhe që tentojë që të përdorin edhe asetet financiare për të mbushur xhepat e tyre.
-A po funksionon drejtësia e re, sepse ka sinjale pozitive ka edhe kritika që thonë se duhet bërë akoma edhe më shumë?
Mendoj se duhet parë pozitivisht. Drejtësia e ka pasur të vështirë që të veprojë ndaj njerëzve që janë të partive që janë në pushtet. Kur drejtësia nuk arrin që të ndëshkojë krime që kanë ndodhur publikisht si Gërdeci apo 21 janari kredibiliteti i drejtësisë nuk është aty ku duhet.
-Pak javë më parë Partia Socialiste ka festuar përvjetorin e saj. Ju zoti Koçi keni kaluar të gjithë etapat e Partisë Socialiste, duke mbajtur edhe poste të rëndësishme gjatë këtyre 31 viteve. Si e gjykon ai këtë rrugëtim?
PS ka dëshmuar se është një parti që ka bërë për Shqipërinë, prandaj socialistët mund të jenë ballëlart, të gatshëm për sfida të reja.Momenti im më i bukur ishte kur bënë një mocion mosbesimi ku kam humbur për një votë, 51 me 50, kur isha sekretar organizativ. Ishte diçka që përtej humbjes dëshmonte demokraci brenda partisë. Ndërkohë që momenti më i vështirë ishte Kongresi i vitit ‘96, kur Nano ishte në burg dhe jo në burg dhe u duk sikur po burgosej edhe politikisht. Ishte një moment me shumë përplasje dhe debate, por edhe në atë moment PS diti të zgjedhë rrugën e duhur.Por momentet e vështira ka patur edhe me drejtimin e Ramës.
Më kujtohet kur u bënë zgjedhjet vendore dhe Rama kandidonte për Bashkinë e Tiranës dhe ndodhi ajo që ndodhi me rinumërimin, pa dyshim edhe 21 janari. Megjithatë duhet theksuar se Partia Socialiste është një parti e vuajtur në krahasim me PD, nga momenti që e ka ndjerë në kurriz vuajtjen, dh kjo i ka bërë mirë. Kur u shndërrua nga PPSH në PS ka vuajtur shumë, me shumë presion, ndërkohë që PD pa vuajtur erdhi në pushtet, dhe në fakt nuk u bë kurrë parti politike, thjesht ishte një lëvizje që u privatizua në shërbim të një njeriu. Ndërkohë kam parasysh procesin e transformimit, nga PPSH, por edhe vitet e pushtetit pas vitit 1997, por nuk harroj edhe qeverinë e Majkos, kur ndërkohë që ne po strehonim vëllezërit tanë kosovare kishim një opozitë që përditë dilte në demonstrate duke thënë se kjo është qeveri tradhtare dhe komuniste”, janë fjalët e deputetit socialist.