Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, të mbledhur sot në selinë e Bashkimit Afrikan në Adis Abeba për një konferencë donatorësh, premtuan financimin e 250 milionë dollarëve për luftën kundër lëvizjes terroriste islamike, Boko Haram.
“Ne vemë në dispozicion 250 milionë dollarë në shërbim të Forcave të Përbashkëta Shumëkombëshe të Ndërhyrjes (MNJTF), që lufton kundër Boko Haramit”, njoftoi Smail Chergui, komisar i Paqes dhe Sigurisë i Bashkimit Afrikan.
“Të paktën 110 milionë dollarë vijnë nga Nigeria, 50 milionë euro nga Bashkimi Evropian, tetë milionë dollarë nga Britania e Madhe, katër milionë franga zvicerane nga delegacioni zviceran dhe 1,5 milionë dollarë vijnë nga shtetet sahelo-sahariane”, saktësoi Chergui.
Presidenti i Çadit, Idriss Déby, njëkohësisht edhe presidenti i radhës i Bashkimit Afrikan, tha se shpresonte që këto kontribute të ndikonin në nxitjen e luftës kundër terrorizmit.
Për luftën kundër Boko Haramit, katër vende, Nigeria, Kameruni, Çadi dhe Nigeri, përfshirë edhe Beninin, kanë ngritur MNJTF-në me 8 700 ushtarë, policë dhe civilë.