Në të mirë dhe në të keq, derisa paraja të na ndajë! Duket si utopike, por fenomeni i tradhtisë financiare është i përhapur edhe në vendin tonë. Cilat janë kostot e këtij fenomeni?
Nga Deada Hyka
Për F. ishte një ditë si gjithë të tjerat, në rutinën e përditshme në punën e tij. Gjersa një telefonatë, i prishi jo vetëm qetësinë e momentit, por të shumë ditëve më pas.
“Përshëndetje, ju telefonojmë nga Agjencia e Mbledhjes së Detyrimeve. Në pamundësi të kontaktit me bashkëshorten tuaj, gjetëm në sistem numrin tuaj. Na duhet t’ju informojmë se zonja ka më shumë se një vit pa shlyer asnjë këst të kartës së saj të kreditit dhe banka ka dërguar kartelën e saj për ndjekje nga ne….”
F.nuk ishte në dijeni të kartës së kreditit të bashkëshortes, aq më pak të shpenzimeve të kryera në fshehtësi dhe mungesës së përgjegjësisë për të shlyer detyrimet. Pasi mblodhi veten nga informacioni, çdo gjë tjetër që ndodhi më pas… u diskutua në seanca të gjata psikologjike dhe një fije peri i ndau nga divorci.
Në fakt, ekspertë të fushës ligjore e psikologjike pohojnë se vitet e fundit, në Shqipëri histori të tilla janë të shumta, gati krejt të zakonshme dhe ata që nuk i “përtypin” pabesitë financiare janë më tepër meshkujt.
Të gjithë i dimë historitë e tradhtisë së një bashkëshorti me tjetrin, por çfarë ndodh kur mashtrimi është financiar?
Pa përmendur lëndimin emocional, pasojat financiare nga pabesia e një partneri mund të jenë jashtëzakonisht të vështira për t’u rikuperuar.
Mund të jetë një kartë krediti e papaguar, një kredi, një shitje prone, apo borxhe nga sekrete si të qenët kumarxhi a përdorues droge. Të gjitha çojnë në cenimin e marrëdhënies bashkëshortore, deri në divorc.
Konfliktet financiare, një shkak për divorc
Sipas avokates Margarita Kola, numri i çështjeve të çuara në divorc për shkak të konflikteve financiare, sidomos fshehjes së informacioneve, është rritur vitet e fundit.
Pavarësisht se mungojnë statistika të mirëfillta, av. Kola thotë se rastet në rritje kanë qenë flagrante dhe se shpesh, janë vendime të pakthyeshme. Dikur më pak të kërkuara nga femrat, tashmë nuk ka diferencime gjinore për sa u përket vendimeve të tilla.
Shpesh, pabesia financiare, ose shkalla e saj, nuk zbulohet derisa një divorc është në proces dhe çiftet duhet t’i zbulojnë shpenzimet e tyre njëri-tjetrit. Kështu thotë avokatja, e cila shton se shumë njerëz nuk e kuptojnë se kjo është e panegociueshme dhe se fshehja e të ardhurave, në një moment a në një tjetër, do të dalë.
Shkenda Lila, detektive, pohon për “Monitor” se pas tradhtisë, arsyeja e dytë e rasteve më të shpeshta viteve të fundit, janë për zbulim shpenzimesh nga partnerët kryesisht, që nuk kanë besim ose kanë indicie për pabesi financiare nga bashkëshortët.
Znj. Lila u shpreh duke qeshur, se publikimi i listës së pagave ishte diçka negative për detektivët, duke qenë se edhe bashkëshortët morën informacionet që donin.
Të kontaktuar nga “Monitor”, oficerë kredie në dy institucione financiare për kredi të shpejta, pohuan se ka raste në rritje të marrjes së kredive të shumave që nuk tejkalon vlerën e 500 mijë lekë, për shkak të problematikave që përfshijnë fshehje të informacioneve financiare në familje.
Kujdes!
Nuk ka nevojë të kaloni në kontroll total: të grumbulloni financat dhe të ndiqni çdo hap të njëri-tjetrit. “Këshilloj që të ketë jo vetëm llogari të përgjithshme, por edhe personale – nëse besimi rikthehet, atëherë kjo është alternativa më e mirë. Nuk duhet të prisni që të lindin konflikte për të nisur një bisedë për paratë, por nuk duhet ta ndaloni atë kur problemet të zgjidhen”, – thotë psikologia Jonuzaj.
Kur nuk i tregon “kuletën” partnerit të jetës
Fshehja e informacioneve financiare mes një raporti mund të jetë një formë kontrolli, pasi një person kërkon të dominojë vendimet e marrëdhënies, duke fshehur informacionin kryesor.
Mund të jetë gjithashtu komunikim i dobët rreth parave, i ndërthurur me turpin e borxhit, duke gërryer besimin mes partnerëve.
Dhe sigurisht që mund të nxitet nga gënjeshtra të tjera: Varësia ndaj lojërave të fatit ose drogave është e vështirë për t’u zbuluar dhe asnjëra nuk është e lirë. Por gjithnjë e më shpesh, sipas Aljona Jonuzaj, psikoterapiste, e cila punon me çifte, paratë thjesht “largohen apo fshihen”.
Psikologia thotë për “Monitor” se numri i rasteve janë në rritje në seancat psikologjike dhe se, mashtrimi mund të rrjedhë nga dëshira për të fituar pushtetin mbi “shpirtin binjak”.
“Gënjeshtra të vogla se si njerëzit zgjedhin të shpenzojnë paratë mund të çojnë në probleme serioze martesore. Çfarë imagjinoni kur dëgjoni fjalën ‘tradhti’? Me siguri një bisedë në Tinder, ku partneri flirton me vajza të tjera. Apo ndoshta shoqja e tij e klasës, me të cilën ai është ende i dashuruar – natyrisht, në mënyrë platonike, sepse ajo ka një burrë dhe tre fëmijë.
Të gjithë e dinë tradhtinë fizike dhe emocionale, po ajo financiare? Ekziston gjithashtu: është një gënjeshtër për një partner ose bashkëshort për paratë. Mund të jetë fshehja e blerjeve, shpenzimeve ose borxheve, një hua sekrete, ose një llogari tjetër që gruaja/burri nuk e di.
Dhe tradhtia financiare është shumë e zakonshme edhe në vendin tonë, sipas evidentimeve tona edhe nga terapitë që bëjmë me çifte”, – thotë znj. Jonuzaj.
Në Shqipëri mungojnë statistikat, por si ilustrim, në SHBA, një studim i vitit 2018 me 414 persona tregoi se partneri fsheh diçka: fsheh faturat ose gënjen për çmimin e mallrave të blera. Në të njëjtën kohë, vetëm 27% e konsiderojnë këtë një mashtrim të plotë. Por kjo “e vërtetë e pastër, por jo e gjithë e vërteta” mund të ndikojë në marrëdhëniet, nënvizon psikologia.
“Është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë formash mund të marrë një tradhti e tillë dhe si duhet të trajtohet. Nga puna jonë e përditshme, në terapitë fizikisht dhe online, kemi zbuluar disa nga arsyet e tradhtisë financiare. Të flasësh për financat mund të jetë mjaft e pakëndshme, sepse secili prej nesh ka frikën dhe ankthet e veta që lidhen me këtë temë.
Aftësitë e dobëta të komunikimit ose përpjekjet për të shmangur konfliktin mund të çojnë në pabesi financiare. Gjatë terapisë arrijmë në konkluzion se nëse dikush fsheh shpenzimet, atëherë, ai gjithashtu fsheh ndjenjat. Por ndodh edhe më keq: mashtrimi mund të rrjedhë nga dëshira për të fituar pushtetin mbi ‘shpirtin binjak’.
“Ndonjëherë paratë mund të përdoren si një ndëshkim për një person që nuk sillet ashtu siç do të dëshironte partneri i tyre”, – thotë psikologia, e cila thekson se kryesisht janë më të zakonshme nga meshkujt, por falen më pak nga ata vetë.
Znj. Jonuzaj gjithashtu nënvizon se, në këshillat që u jepet çifteve në terapi, rregulli kryesor është të diskutoni çështjen e parave që në fillim të marrëdhënies dhe mos prisni derisa të shfaqen problemet.
“Kjo mund të jetë një bisedë shumë e vështirë, por ia vlen: aftësia për të ngritur tema të tilla do të krijojë besim mes jush. Për më tepër, aftësia për të shprehur çështjet financiare do të jetë e dobishme: sa më shpesh t’i ngrini ato, aq më pak shqetësim.
Paratë janë një temë delikate, veçanërisht për ata që e dinë se si është të jetosh me qindarka ndërkohë që burri shpenzon pa informuar në të tjera vende”, -thotë ajo.
Sipas psikologes, nuk ka nevojë të kaloni në kontroll total: të grumbulloni financat dhe të ndiqni çdo hap të njëri-tjetrit.
“Këshilloj që të ketë jo vetëm llogari të përgjithshme, por edhe personale – nëse besimi rikthehet, atëherë kjo është alternativa më e mirë. Nuk duhet të prisni që të lindin konflikte për të nisur një bisedë për paratë, por nuk duhet ta ndaloni atë kur problemet të zgjidhen”, – thotë psikologia Jonuzaj.
Shkak për divorc
Sipas avokates Margarita Kola, numri i çështjeve të çuara në divorc për shkak të konflikteve financiare, sidomos fshehjes së informacioneve, është rritur vitet e fundit. Pavarësisht se mungojnë statistika të mirëfillta, av. Kola thotë se rastet në rritje kanë qenë flagrante dhe se shpesh, janë vendime të pakthyeshme. Dikur më pak të kërkuara nga femrat, tashmë nuk ka diferencime gjinore për sa u përket vendimeve të tilla.
Pasojat
E marrë në një këndvështrim në të gjithë shoqërinë shqiptare, për sociologen Marsida Simo, tradhtia financiare, ose pabesia financiare, është pasojë e disa faktorëve.
“Në pamje të parë mund të duket si diçka jo serioze, pasi po flasim për familjen dhe këto gjëra mund të rregullohen sërish. Në të vërtetë, ky fenomen përmban gënjeshtrën, fshehjen, mashtrimin, përfitimin e të mirave apo shërbimeve në mënyrë të njëanshme.
Madje shanset për tradhti financiare vitet e fundit mund të jenë në rritje, pasi bashkëshortët kanë llogari bankare të ndara, apo më shumë se një punë. Dhe shpesh, punët e dyta në Shqipëri janë informale. Megjithatë, paralelisht në vendin tonë ende nuk kemi një kulturë të mirëfilltë financiare ekonomike, e cila mund të sjellë thellimin e fenomenit”, – thotë znj. Simo.
Në lidhje me shkaqet, sipas saj, disa partnerë mund të bëjnë tradhti financiare, si një mënyrë për të rifituar autonominë në marrëdhënie.
“Ata përdorin shpenzimet si një mjet për të rivendosur pushtetin e tyre. Kjo mund të ndodhë më tepër te burrat, duke ditur mentalitetin që mbizotëron në vendin tonë, ku marrjet e vendimeve kryesore i përkasin më së shumti bashkëshortit.
Një tjetër arsye se pse ndodh pabesia financiare është prej faktit se çështja e parave në përgjithësi është e vështirë për t’u diskutuar, sidomos në fillimet e një marrëdhënie në çift. Më pas, gjërat bëhen edhe më të vështira derisa vijojnë me konflikte dhe mosmarrëveshje. Madje disa çifte zgjedhin mes palëve, se cili do të jetë menaxhuesi i të ardhurave dhe shpenzimeve.
Duke qenë me këtë “pushtet” absolut, mund të ketë abuzime. Po ashtu mund të ketë edhe arsye të tjera që lidhen me aspektin psikologjik, ku njëri prej partnerëve është i varur nga blerjet e shumta, të cilat e çojnë atë në borxhe të thelluara, duke mos u përballur me realitetin, por duke i mbajtur të fshehura derisa të dalë në pah e vërteta”, – thekson znj. Simo.
Sa u përket pasojave, sociologia përmend së pari prishjen e ekuilibrave mes bashkëshortëve e më tej, humben e besimit dhe konfliktet e vazhdueshme. Në përfshirjen e palëve të treta, çështja vështirësohet më shumë, qoftë një institucion kreditor apo njerëz ku njëri nga bashkëshortët ka marrë shuma parash.
“Pjesa që e vështirëson këtë raport është se, bashkëshortët shpesh e zbulojnë tradhtinë financiare vetë, nga ndonjë rrethanë rastësore ose kur është bërë situatë problematike dhe jo se partneri është rrëfyer për atë gjë. Personalisht në biseda të shumta me nëna vë re një pabesi që kanë gratë ndaj bashkëshortit, në lidhje me të ardhurat.
Jo pak herë mendojnë se burrat janë të prirë të shpenzojnë më shumë, por nuk i tregojnë të gjitha. Nga ana tjetër, ka edhe gra të cilat bëjnë shpenzime, të cilat nuk ia tregojnë partnerit nga frika se ata do t’i paragjykojnë apo se më pas mund të lindin grindje të panevojshme” -përfundon znj. Simo.
Raporti: 1/3 njerëzve përjetojnë tradhti financiare
Gati një e treta e çifteve kanë përjetuar pabesi financiare në marrëdhënien e tyre, sipas një sondazhi të ri nga US News & World Report.
Rreth 3 në 10 të anketuar në sondazhin e janarit 2022 thonë se janë përballur me pabesinë financiare ose si viktimë, ose si autor.
Tradhtia financiare mbulon një gamë të gjerë sjelljesh, duke përfshirë të pasurit e kartave sekrete të kreditit, apo edhe gënjeshtrën për të ardhurat.
Elementi që të gjithë kanë të përbashkët është se një partner fsheh ose ruan informacione për një vendim të lidhur me paratë. Kur viktima zbulon të vërtetën, shpesh ka një ndjenjë tradhtie. Në njëfarë mënyre, është e ngjashme me pasojat e tradhtisë romantike.
Llojet e pabesisë financiare
Kur u pyetën se çfarë lloj tradhtie financiare ndodhi në marrëdhënien e tyre, të anketuarit në sondazh raportuan si më poshtë:
– Mbajtja sekrete e blerjeve: 31.4%
– Fshehja e borxheve, apo llogarive: 28.7%
– Gënjeshtra për të ardhurat: 22.6%
– Tërheqja e parave nga kursimet: 10.4%
– Huadhënia e parave pa pëlqim: 6.9%
Siç mund ta shihni, ka shumë mënyra për të mbajtur sekretet e parave. Në anketë, 8.5% e morën vesh për veprën e pahijshme nëpërmjet një rrëfimi. Zakonisht, viktima e merr vesh për pabesinë në mënyra të tjera
Shenjat e pabesive financiare
Kur u pyetën se si zbuluan se bashkëshortët kishin kryer mashtrime financiare, të anketuarit panë shenjat e mëposhtme:
– 23.7% thonë se panë një blerje të madhe
– 20.9% vunë re se bilancet e llogarive ishin jashtë normales
– 19.9% zbuluan një deklaratë ose statement për një llogari të panjohur
– 18.7% thonë se kanë gjetur pako të papritura
– 8.2% vunë re pajisje elektronike të padeklaruara
Arsyet për të kryer pabesi financiare
Tani, le të kthejmë tabelat dhe të shohim motivet. Sondazhi i pyeti ata që u përfshinë në pabesi financiare pse e kishin të nevojshme ta bënin këtë. Këtu janë gjetjet:
– Për të shmangur një argument: 38%
– Sikleti për keqpërdorimin e parave: 23.1%
– Për t’u ndier më shumë në kontroll financiarisht: 16.1%
– Për të ndihmuar dikë tjetër: 15.8%
– Për të shmangur ndarjen e lajmeve të këqija: 7%. “Monitor”