Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani gjatë një takimi me studentët e arsimuar jashtë vendit u premtoi se do propozonte heqjen e mesatares për pranimin në shkollën e magjistraturës.
Gjatë takimit të mbajtur në ministrinë e Drejtësisë, Manjani e konsideroi një maskarallëk çështjen e mesatares, pasi nuk mund të krahasohet një mesatare e shkollave shqiptare me mesataren e dikujt që ka studiuar në një fakultet jashtë vendit.
Ministri Manjani garantoi studentët se janë shumë të rëndësishëm për sistemin gjyqësor në vend, pasi eksperjenca e tyre është e vyer. Ai duke mbrojtur idenë e vetë për heqjen e mesatares solli një shembull konkret se përse mesatarja nuk duhet të vlejë.
“Kam ndërment të propozoj hapjen e kuotave të shkollës së magjistraturës. Nuk mund të fusim dot në sistemin gjyësor jurist të pa çertifikuar nga shkolla e magjistraturës. Po e pranuam këtë përjashtim kemi dëmtuar parimin e karrierës, parimin e profesionalizmit. Kjo është rruga e duhur që të mund t’ju integrojmë ju”, tha ai.
Dikush kishte mbaruar në Sorbonë me 7.5, tha Manjani, dhe shkoi të aplijkojë në shkollën e Magjistraturës dhe nuk ja pranuan dokumentat sepse nuk plotësonte kriterin që duhej të kishte mesataren 8 sipas ligjit tonë. “Pra 7.5 e Sorbonës sipas ligjit tonë nuk vleka. Ky nuk është kriter, por është maskarallëk. Këtë kriter kam ndërmend të propozoj për të hequr për ju dhe për studentët e ekselencës. Nuk do merremi tani me histori mesataresh”, tha Manjani.
Ai gjatë disuktimeve me studentët tha se eksperienca e të rinjve jashtë vendit është një kontribut i vyer për vendin.