Ish deputeti socialist Tom Doshi ka qenë i pranishëm këtë të hënë në gjyqin e tij ndaj deputetit të LSI Spartak Braho, duke thënë se ky i fundit, përpara viteve 90’ ka ekzekutuar njerëz dhe se nuk meriton të jetë në kuvend.
“Ai person ka ekzekutuar me dorën e vet ushtarë para vitit 90-të dhe nuk e meriton të jetë në parlament”- tha Doshi.
Gjyqi mes Tom Doshit dhe Spartak Brahos ka vijuar me kërkesën e prokurorisë për të shpallur të pafajshëm deputetin e LSI për akuzën e shpifjes. Doshi kallëzoi Brahon pas një deklarate të këtij të fundit se ish socialisti kishte falsifikuar një raport mjekësor për të mos marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Mandateve kur shqyrtohej mandati i tij për akuzat ndaj Ilir Metës.
Në mbledhjen e sotme prokurori i çështjes u shpreh se deklarata e Brahos është vetëm një opinion i tij dhe nuk ka elementë të veprës penale. Gjykata e Lartë deklaroi se do të japë në 9 shkurt vendimin për këtë çështje. Tom Doshi ka kërkuar 1 lekë dëmshpërblim për akuzat e Spartak Brahos.