ISIS-i i ka bërë një letër Thaçit pak muaj më parë duke e kërcënuar direkt. Letra në emër të Abu Bakr al-Baghdadi i është dërguar Kosovës pak muaj pasi ai është shpallur kalif (udhëheqës). Mbanë datën 21 nëntor 2014. Kërcënimi ka ardhur nga grupi i xhihadistëve kosovarë atje. Por, sipas procedurave, secila letër apo komunikatë duhet ti nënshtrohet autoritetit të kalifit i cili në fund e nënshkruan.
Një letër e nënshkruar nga Abu Bakr al-Baghdadi ka mbërritur në dorën e Hashim Thaçit, shkruan portali Insajderi.com
Shteti Islamik kërkonte nga Kosova si vend i vogël mysliman që të mos rreshtohej në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimit në luftën, siç e quanin ata kundër myslimanëve. Nëse Thaçi si kryeministër nuk hiqte dorë nga ky reshtim, arrestimi i besimtarëve dhe hoxhallarëve, Kosovën e “prisnin sulme dhe hakmarrje e madhe”.
Abu Bakr al-Baghdadi është udhëheqës i ISIS-it. Ai ka shpallur kalifatin më 3 korrik të vitit 2014 në territorin e Sirisë dhe Irakut. Pjesë e organizatës së tij terroriste janë bërë rreth 300 kosovarë. Rreth 50 janë vrarë. Më shumë se 60 janë arrestuar dhe akuzuar në Kosovë. Të tjerë po vazhdojnë të jenë pjesë e ISIS-it.
Letra në emër të Abu Bakr al-Baghdadi i është dërguar Kosovës pak muaj pasi ai është shpallur kalif (udhëheqës). Mbanë datën 21 nëntor 2014. Kërcënimi ka ardhur nga grupi i xhihadistëve kosovarë atje, por sipas procedurave secila letër apo komunikatë duhet ti nënshtrohet autoritetit të kalifit i cili në fund e nënshkruan.
Insajderi ka siguruar këtë letër që kishte alarmuar Hashim Thaçin, kryeministër i Kosovës aso kohe. Letra ka mbërritur në Ambasadën e Kosovës në Katar. Menjëherë pas përkthimit i është dorëzuar Thaçit. Përmbajtja e saj e kishte shqetësuar Thaçin. Menjëherë ai kishte vizituar shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakajn, i cili e “kishte garantuar se situatën e kishte nën kontroll”.
Në letër përmenden sulmet e “të pafeve kundër trojeve myslimane shqiptare” që pas rënies së Perandorisë Osmane. Kërkohet ndalimi i arrestimeve. Kërkohet po ashtu ndalimi i përpjekjeve për të ulur zërin në xhami gjatë thirrjes së ezanit. Ka përmendur edhe djegien e flamurit islam që ishte bërë nga të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës pas sulmeve që kishin ndodhur në Parisë në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo nga pjesëtarë të ISIS-it.
“Një proverb popullor thotë: ‘i mençuri merr mësimet nga gabimet e huaja, kurse ai që është i marrë mëson nga gabimet e veta’. Duke u nisur nga kjo thënie, a nuk mjaftojnë për mësim gabimet dhe dështimet e perëndimit në krye me Amerikën në përpjekjet e tyre për shtypjen e myslimanëve?”, shkruan në letër. Sipas kësaj letre kërcënuese, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallen luftë islamit dhe myslimanëve, por prej këtyre konflikteve myslimanët veçse dolën më të fortë.
“Çka fitoi perëndimi me në krye Amerikën përveç shkatërrimit ekonomik, humbje, frikë, panik, vrasje, pasiguri dhe janë futur në një qorrsokak dhe kanë rënë në një humnerë që as vetë nuk e dinë se si të dalin prej saj”.
ISIS kërcënon Kosovën se nëse ndjek të njëjtën rrugë si Amerika “të jeni të sigurt dhe të bindur se do të keni të njëjtin përfundim, madje edhe më të keq”.
“Dijeni se burgosja e myslimanëve, sidomos e hoxhallarëve, mbyllja e shoqatave islame dhe luftimi i islamit haptas në çdo formë nuk kuptohet ndryshe përveç se shpallje e luftës haptas ndaj islamit dhe myslimanëve. Ky konflikt mes juve dhe neve është në fillimet e tij ku rrjedha varet nga jo: tërheqja juaj apo vazhdimi në këtë rrugë”, vazhdon kërcënimi.