Familja e Ervis Martinaj ka vënë alarmin diten e djeshme në polici pasi pretendon se ka humbur kontaktet me 40-vjeçarin e shumëkërkuar.
Ka qenë pikërisht xhaxhai, Faik Martinaj, ai që ka bërë kallëzimin në polici se ata kishin humbur familjarisht kontaktet me Martinajn, ky i fundit i shpallur në kërkim policor. Deri më tani nuk dihet nëse ky është një inskenim nga ana e familjarëve të tij për të favorizuar situatën në të cilën ndodhet Martinaj, apo nëse bëhet fjalë për një ngjarje kriminale, ndërkohë që policia po heton. Kallëzimi në fjalë vjen pak kohë pas masakrës së ndodhur te mbikalimi i Fushës Krujës ku u ekzekutua kushëriri i tij Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.
Kujtojmë se Martinaj është në kërkim pasi sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani kishte urdhëruar vrasjen e Endrit Dokles, atentat që nuk u realizua. Policia ka dështuar në disa aksione për arrestimin e Ervis Martinaj.
DËSHMIA E DUMANIT
Në një prej dëshmive të Nuredin Dumanit, i cilësuar si i penduar i drejtësisë, Ervis Martinaj akuzohet se ka porositur vrasjen e Indrit Dokles. Sipas tij, ishte Ervis Martinaj ai që porositi vrasjen e Dokles, i cilësuar edhe si numri 2 i Bandës së Durrësit, të drejtuar nga Lulzim Berisha. Ai kishte lënë qelinë më janar të vitit 2020, me vendim të ish-gjyqtares të Krujës Enkelejda Hoxha. Pikërisht koha kur ndaj tij, sipas rrëfimit të Dumanit, porositet eliminimi. Nga kjo dëshmi e Dumanit, Ervis Martinaj u shpall në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit policor, në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’.
“Unë kam marrë porosi nga Ervis Martinaj për të vrarë Indrit Doklen. Kam rënë dakord që Ervisi të më jepte për vrasjen e Indritit, shumën prej 500 mijë euro. Dhe se për të kryer këtë vrasje, kam marrë paradhënie 100 mijë euro.”, tha Nuredin Dumani. Po sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, në emër të Ervis Martinaj, për të siguruar mjetet për të ekzekutuar Indrit Doklen, ai ka shkuar edhe në Kosovë. “Në emër të Ervisit kam vajtur dhe kam takuar në Kosovë dy shtetas, një i thirrur Eli dhe një tjetër që është vëllai i Besian Xhixhës. Gjatë takimit Eli komunikoi me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit, komunikova me Ervisin i cili më propozoi vrasjen e Indrit Dokle.”, tha Dumani para oficerëve të SPAK.
Sipas hetimit, personi me emrin Eli që përmend Dumani, është pikërisht Elvin Merlika. Kurse vëllai i Besianit është Alket Xhixha. Të cilët kanë udhëtuar drejt Kosovës me automjetin tip Hummer të cilin e identifikon Nuredin Dumani. Ku gjatë këtij takimi, Nuredin Dumani ka marrë edhe shumën prej 100 mijë euro nga Ervis Martinaj.
Detaje të cilat konfirmohen edhe nga dëshmia përpara hetuesve e Henrik Hoxhaj. “Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e Indrit Dokles. Në një nga bisedat që në bënin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Indrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë.
Çmimi ishte mbi 500 000 euro, pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash para. Pasi i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Nuredini kishte informacion se Indriti jetonte tek një vilë në një kompleks luksoz.”, tha Henrik Hoxhaj. Henrik Hoxhaj shpjegon se vëzhgoi lëvizjet e ish –kreut të njërit prej dy fraksioneve të bandës së Durrësit, por nga mënyra sesi ruhej dhe zona nga ai banonte, për bashkëpunëtorin e drejtësisë, bënin që Indrit Dokle të ishte një “objektiv” jo i lehtë.
“Me makinë me qira kam shkuar deri tek një qendër tregtare për të vënë re nëse mund ta shihja Indritin, por nuk e kam parë. Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Indriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar ‘Toyota’. Në një nga këto lëvizje tek TEG unë e kam parë këtë makinë tek rrotondo që ndodhet tek diga e Liqenit Artificial afër Kopshtit Zoologjik.
Thjesht e kam parë por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga bisedat në celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera.”, tha Hoxhaj. Lidhur mbi dëshminë e Nuredin Dumanit mbi lëvizjen drejt Kosovës të Alket Xhixhës dhe Elvin Merlikës, sipas hetuesve ato rezultuan të besueshme pas verifikimit të kryer nga ana e tyre.