Ervis Martinaj, në arrati nga autoritetet dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, sot rezulton i zhdukur pas denoncimit që familjarët e tij kanë kryer në polici.
Por si u kthye Martinaj, i njohur ndryshe edhe si ‘i forti i kryqytetit’ ndër emrat më të përndjekur nga policia e shtetit dhe jo vetëm?
Gjithçka nis në vitin 2013 ku Martinaj kërcënon me jetë, shefin e repartit special “Shqiponja”, në kulmin e operacionit të lojërave të fatit. I rritur në Laç dhe banues në Tiranë, Martinaj asokohe u dënua me burg dhe disa herë u gjobit për organizimin e palejuar të lotarive në kryeqytet.
Në 2015 , i riu nga Burreli dënohet 1 vit e 4 muaj për vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit.
Martinaj, një emër i njohur për policinë prej kohësh, figuronte dhe në dosjen gjyqësore kundër Emiljano Shullazit. Ishte biznesmeni Ylvi Beqaj, i cili në dëshminë e tij ka deklaruar se Ervis Martinaj e ka kërcënuar dhe i ka ofruar 7 milionë euro, në mënyrë që ai të mbyllë gojën në gjyqin kundër Shullazit.
Me 4 tetor të vitit 2018, një prej dyqaneve më të shtrenjtë e më të njohur në zonën e ish-bllokut në Tiranë, kthehet në skenën më të bujshme të krimit. Atë ditë Ervis Martinaj me një grup miqsh, do të futej në dyqanin Monopol, pas një konfliktimi me shtetasin Ervin Mata në një prej lokaleve të zones, nga ku jo të gjithë dolën të gjallë. Viktimë, ishte një prej miqve të Martinajt, Fabian Gaxha.
Në gusht të vitit 2019 në Tiranë u ekzekutua ish polici Santiago Malko, ndërsa në hetimet e SPAK nënvizohet se plani ishte edhe vrasja e Ervis Martinaj.
Për këtë vrasje, u dënua vetëm Bledi Teta me 25 burg. Në kërkim janë Leonard dhe Erlis Duka dhe disa persona te tjerë të cilët kishin rol në këtë organizimin dhe ekzekutimin e Malkos.
Saga e vrasjeve nuk mori fund pasi miqtë apo bashkëpunëtorët e Martinajt ranë pre e atentateve nga persona që dyshohet të jenë rivalët e tij.
Në 22 korrik të këtij viti atentat iu krye mikut të tij Ylli Brahimaj në Milot, i cili mbeti i plagosur rëndë.
Rasti i fundit ishte i Fushë-Krujës kur u zu në pritë 23-vjeçari Brilant Martinaj së bashku me dy shokët Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Ndërsa në 13 nentor te vitit të kaluar po në Tiranë do ekzekutohej Erigers Mihasi, i cili njihej si shok i ngushtë i Ervis Martinajt, ndërsa viktima tjetër Armando Dumani pasagjeri që ndodhej me të në Audin e bardhë, rezulton se është fqinj i tij në Yrshek.
Duket se kundërshtarët vranë një nga një bandën e Martinajt, ndërsa me zhdukjen e tij sot dyshimet se mund të jetë ekzekutuar dhe vetë ai janë të mëdha.
Po ashtu, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili zbërtheu 8 grupe kriminale në vend, në dëshminë e tij në SPAK tha se ishte Martinaj ai që e ka paguar plot 100 mijë euro për vrasjen e Endrit Dokles, por ky krim nuk është vënë në jetë.
/e.d