Mjekët e Urgjencës së Tiranës kanë zhvilluar sot një protestë kundër shkrirjes së këtij shërbimi. Mjekët kanë firmosur një peticion, të cilin ia kanë dërguar Kryeministrit, Kuvendit dhe Ministrit të Shëndetësisë, për të kundërshtuar mbylljen e Urgjencën e Tiranës. Sipas mjekëve, shërbimi i Urgjencës po shkrihet me qëllim që toka të shfrytëzohet për të ndërtuar një pallat.
“Do ta shkrijnë institucionin, na e komunikuan verbalisht. Na kanë shpërndanë në 3 spitalet terciare. Ne jemi mjekë familje patologë, nuk jemi për spital terciar. Shkrihet shërbimi, që toka të shfrytëzohet për pallat. Shërbimin duan t’ia japin me koncesion një kompanie. Jemi me 10-30 vjet përvojë, po na largojnë nga puna. Në 2 vitet e fundit në Urgjencën e Tiranës, nuk ka pasur asnjë investim. Gjysma e automjeteve janë jashtë funksionit. Degradimi i urgjencës është bërë me qëllim shkrirjen e saj”, theksojnë mjekët, ndërsa paralajmërojnë se do të futen në grevë urie, në rast se Ministria e Shëndetësisë nuk tërhiqet nga vendimi për të shkrirë Urgjencën e Tiranës.