Nga Xhevdet Shehu
Pa asnjë dyshim, Ali Asllani është një nga poetët e mi më të dashur. Ia di thuajse përmendësh të gjithë krijimtarinë e tij poetike me një kolorit të pakrahasueshëm, me një tingëllimë të jashtëzakonshme dhe me një ëmbëlsi të pashoqe. Ai është shpirti i patjetërsuar lab.
Kishte dhe një mbiemër të bukur: Asllani, që në turqisht do të thotë Luan. Aliu ynë poet është një Luan i poezisë shqipe. I madh dhe mahnitës! I rrallë dhe i papërsëritshëm!
Nuk arrita ta njoh personalisht, por ashtu si mund ta imagjinoj, them se ai ka qenë dhe mbeti një luan i poezisë shqipe. Një trimëror i rrallë që krijoi një shkollë të re, sa tradicionale, aq dhe moderne në poezinë shqipe. Nuk ka rëndësi nëse si lab shkrehu apo jo ndonjë pushkë në jetën e tij, por poezia e tij gjëmonte dhe gjëmon sa njëmijë topa… E gjithë krijimtaria e tij është një këngë e pambarimtë, sa lirike aq dhe revolucionare, sa e kursyer, aq dhe madhështore, sa e brishtë aq dhe heroike, sa tokësore aq dhe qiellore. Kombëtare mbi të gjitha! Ajo është shndërruar në këngë qysh në gjenezën e saj, e formësuar në tri periudha të ndryshme. Vepra më e mirë e tij u botua në vitet ’60 të shekullit të kaluar me një shkëlqim marramendës… Pra më shumë se gjysmë shekulli më parë. Por, unë e them me bindje se ashtu si Homeri, ai përcillej më shumë gojë më gojë, se sa lexohej. Vargjet e tij ngjisnin me leximin e parë, mbaheshin mend lehtësisht dhe po aq lehtësisht këndoheshin…
Rrallë gjen poet që të ketë një fat të tillë sa Luani Ali! Jo Ali Pasha i Janinës, por Ali Asllani i Vajzës së Vlorës. Me Aliun e poezisë ka ndodhur një fenomen i çuditshëm: Sa ishte gjallë botohej i kursyer, sado që shumë i kërkuar. Pas vdekjes u bë edhe më i kërkuar dhe është botuar e ribotuar shumë herë, ndërsa studiues të ndryshëm kanë shkruar e shkruajnë pambarimisht… Ai ka riardhur shumë herë gjatë këtyre viteve dhe largësia kohore, në vend t’ia zbehte, ia ka rritur shkëlqimin.
Sepse ai ishte dhe është Poet i vërtetë!
Filmi i ri dokumentar i Ylli Pepos është një riardhje e Poetit. E Asllanit Ali! Pas më shumë se 50 vjetësh. Si një dëshmi e përjetësisë së tij… Kam një këmbë në yzengji/ Jam udhëtar eterniteti!, ka thënë poeti në vitet e fundit të jetës së tij. Ka qenë plotësisht i përgjegjshëm për artin që kishte bërë, prandaj dhe i ka shkruar këto fjalë. Magjishëm!
Ne sipas traditës, na ngelet vetëm t’i urojmë mirëseardhjen sa herë ai na rishfaqet në libra, në këngë apo në filma!…
Kur miku im, regjisori i mirënjohur Ylli Pepo më ftoi para disa ditësh në promovimin që do t’i bënte në Vlorë filmit dokumentar që kishte ekranizuar për këtë poet të madh, u mrekullova. Nuk mora dot pjesë në promovimin e filmit, por filmin e pashë paraprakisht dhe u kënaqa. Ndaj dhe u ula të shkruaj disa radhë për këtë vepër të re artistike që ende nuk është bërë e njohur për publikun e gjerë.
***
Në këto ditë vere, në qytetin e Vlorës, mbushur me pushues dhe turistë, në ambjentet e Universitetit “Ismail Qemali”, nën kujdesin e Rektorit të Universitetit prof. dr. Roland Zisi, u shfaq premiera e filmit dokumentar artistik “Gjashtë personazhe kanë gjetur autorin”, kushtuar veprës së poetit te madh Ali Asllani, personalitet i shquar i jetës politike e shoqërore, i kulturës dhe i letërsisë Shqipe, mbështetur nga Ministria e Kulturës, në kuadër të projekteve kulturore për vitin 2022.
Në këtë ngjarje të bukur artistike, që gjallëroi jetën kulturore të qytetit të Vlorës, morën pjesë studiues të njohur të Letërsisë Shqipe, akademikë, përfaqësues të qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, shkrimtarë, autorë të poezisë, studentë e qytetarë si dhe të afërm të poetit.
Ndryshe nga Luigji Pirandelo, nobelisti i shquar italian, një nga autorët e mëdhenj botërorë me kryeveprën e tij “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, në këtë dokumentar artistik zbulohen gjashtë personazhe, aktorë të mirënjohur të skenës dhe kinematografisë shqiptare: Reshat Arbana, Bujar Asqeriu, Mirush Kabashi, Sokol Angjeli e Gazmend Paja, si edhe aktori strugan Pajazit Murtishi që e kanë gjetur autorin. Ai është Ali Asllani, poeti i veçantë, zëri i bukur në atë klimë, në atë botë letrare dhe në atë kohë kur krijoi e jetoi.
***
Vetë poeti, në një intervistë botuar në gazetën “Tomorri” më 15 shkurt 1942 është shprehur “Përgjithësisht në këngët e mia kam dashur të këndoj traditat kombëtare, burrërinë t’onë, bukuritë e vendit dhe mbi këto dhuratën t’onë të madhe: vajzën shqiptare…”
Dokumentari artistik “Gjashtë personazhe kanë gjetur autorin” me skenar të Valentina Hysit, drejtor fotografie Xhemal Reçi dhe me regji të Ylli Pepos, Artist i Merituar, ,me një realizim të mrekullueshëm dhe origjinal, jep aspekte thelbësore të kësaj figure të shquar, përmban vargje të zgjedhura të poetit të madh interpretuar me mjeshtëri nga aktorët tanë të njohur.
Dokumentari fillon me një rrëfim të rrallë tërë pasion të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli për Ali Asllanin, një intervistë e panjohur, e pa shfaqur asnjëherë, dhënë në vitin 2010, filmuar dhe ruajtur me kujdes nga Drejtori i fotografisë Xhemal Reçi.
“…E kam njohur mirë, – tregon Dritëroi– që në moshë të re kam lexuar vjershat e tij. Më tërhiqnin për frymën e tyre lirike dhe figuracionin e ndezur popullor, lirizmin spontan për figura të gjalla të marra nga burimi popull..për atë dashurinë e madhe për natyrën, njerëzit, për gruan, femrën… Ali Asllani është poet më i madh lirik që do të mbetet për jetë në poezinë shqiptare dhe në historinë e letërsisë shqipe. ..është një gur i palëvizshëm..një gur graniti, jo nje gur shtufi…”.
Aktorët janë tërhequr gjithmonë nga vepra e tij “Hanko Halla” botuar në vitin 1942, fragmente të së cilës janë sjellë në dokumentar nëpërmjet interpretimit mjeshtëror të aktorit Sokol Angjeli:
…Ajo ish një lule, po dhe “ Ai”
Ish për atë lule një saksi flori.
Fund’ i fjalës Halla ish një dallandyshe,
Si ish e si qenka… jan’ dy gjëra ndryshe!…”
Poezia e Ali e Asllanit është me tematikë tepër të gjerë tema të kohës, sociale, të dashurisë.
Mjeshtri i madh Reshat Arbana, që mbetet një “vullkan” i transmetimit emocional, me një nga interpretimet më brilante të poezisë së Ali Asllanit, me temë patriotike “festa e madhe”, tregon: “…E kam kaq shumë në mendje të fiksuar Ali Asllanin dhe nuk e kisha menduar kurrë që do të vinte një kohë që do të bëhej kaq i dashur për mua..dhe e rendis Ali Asllanin në tërë atë plejadë të bukur, në atë tufë të poetëve të mrekullueshëm që krijuan aq shumë, që i dhanë kaq shumë këtij kombi…janë njerëz të rrallë, këngë e gjallë …poezitë e tij si “Dasma e madhe” për mua është një kryevepër…
Un’ të thom jam i kuq
Ti më thua jam i bardh’
Un’ me huq e ti me huq
Pra, të zezat radh’-radh’
Nën’ e zez’, motër e zez’
Babë i zi e babëzi
Në cdo hap- një varrez’
Ky atdheu yn i zi
Na u bë skëterr’e vrerit
Botë e çmendur, djall i çmendur
Zot’i çcmendur, të gjithë cmendur
Vetem vdekja bën të sajën
Ha e ha e s’ka të dendur….
“…Kur janë shkruar këto vargje vallë,- vazhdon aktori – kush i ka shkruar..harrojmë që janë shkruar para 80 vjetëve dhe qëndrojnë ashtu aktuale…e do jetojnë, …vepër që ka shprehur botën, shpirtin, dufin e madh ..ne kemi nevojë per mendimet dhe mesazhet e Ali Allanit…”
Ndonëse në poezinë e tij, Ali Asllani trajtoi gjerësisht motive patriotike dhe shoqërore, që pasqyronin jetën, mendësitë dhe psikologjinë shqiptare, Ali Asllani ishte dhe mbetet poeti i dashurisë. Ajo është jetësore, e prekshme, e drejtpërdrejtë.
Erotika e Ali Asllanit mban vulën e origjinalitetit të rrallë që e bën poetin të pikaset si një individualitet artistik sjellë në dokumentar me interpretimin e shkelqyer te aktorit Sokol Angjeli.
Kush të ka dërguar, hëna apo Dielli?
Pa më thuaj, të lutem, sa yje ka qielli?
Ka të tilla pyje nëpër ata yje?
Ka të tilla xhinde nëpër ato pyje?
Bujar Asqeriu, aktori i njohur me një galeri të pasur rolesh, interpretues i poezisë së Ali Asllanit, rrëfen:
“..jam befasuar me krijimet origjinale, të nivelit të lartë të Ali Asllanit. Kur lexoja poezinë e tij me dukej sikur dëgjoja një polifoni, sikur dëgjoja muzikën e trevave të jugut..poezia e tij është dashuri për njeriun , është dashuri për jetën, është dashuri për Shqipërinë..”
Vlorën, edhe Vlorën
Thelp e kam në zemër
Ditën e kam dritë
Natën e kam ëndërr
Dhe ku do që isha
Dhe kudo që jam
Këngë në buzë të kisha
Lot në sy të kam…
Aktori i mirënjohur i humorit, Gazmend Paja, shumë i dashur për publikun, vjen në dokumentar me interpretimin e poezisë “Shpresë” një poezi e ndjerë, me forcë e me shume shpresë, recituar në solidaritet me situatën e krijuar pas goditjeve të renda në vend nga tërmeti…
“..Kur jam njohur me krijimtarinë e Ali Asllanit, kam gjetur një minierë, një personalitet të lartë…” – shprehet aktori.
Edhe sot e këtë orë
Edhe sot ajo stuhi
Ajo flamë-madhe dorë
Do na bëjë tym e hi
Do na zhduket errësira
Do të zhduket ajo dorë
Nesër vjen më shume e mira,
Shkaba jon dykrenore
An’embanë bukuri,
Komb i lir, tokë e lir
Shqiptar e Shqipëri
Sa të lumtur, sa të mirë.
Fragmente nga “Hakërrim” ,vijnë në dokumentar me interpretimin e Pajazit Murtishit, aktor strugan, me banim në Amerikë që në moshën 14 vjecare, që ka marrë pjesë në shumë festivale në mbarë trojet shqiptare dhe në shumë shtete të Amerikës.
Me vargjet e fuqishme të kësaj vjershe përcillet emocioni drithërues nga interpretimi i aktorit Mirush Kabashi, një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri me talentin dhe karakterin e tij stoik, i cili rrëfen:
“..Në vitet 1996-1997 kam interpretuar “Hakërrim” . Impresioni i parë ka qenë shumë i madh..ishte një çjerrje maske, një vullkan..një akuzë…
E kam recituar në disa sheshe të hapura, në ambiente të mbyllura dhe në shumë studio televizive. Kam parë një impakt jashtëzakonisht të madh, më shumë se e e kisha parashikuar…”
A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
Nuk ësht’yti, nuk ësht’imi, ësht’ i kombit arbror,
ësht’i syrit në lot mëkuar, ësht’i vendit djegur, pjekur,
Ju thoni si të doni…po drejta dërmon hekur.
Poezitë e Ali Asllanit kanë frymëzuar edhe muzikantë, siç është marshi i fitores “Vlora Vlora” kënduar për herë të parë në mitingun e fitores në shtator të 1920, mbledhur në sheshin e Flamurit, ku si Kryetar i Bashkisë Vlorë ka mbajtur një fjalim përshëndetës, e paharruar në kronikat e kohës.
Nje tjetër muzikant vjen në këte program dokumentar me lirikën e tij të bukur “Kujtimi yt” me tekst të Ali Asllanit, pjesë e albumit “Feniksi i Ilirisë” .Ai është kantautori i njohur gjakovar, Artan Bakija.
Vetë poeti Ali Asllani shprehet: “…Artistët e mëdhenj janë të mërguar nga qielli këtu në tokë, janë dhuratë për gjithe botën. Arti i tërë botës bashkohet në qëllimin e tij të shenjtë. Dhe që të kuptojë populli artin, duhet që ky të jetë i thjeshtë si është e kthjellet çdo vepër klasike.Artisti duhet të jetë njeri më përpara. Arti del nga realiteti dhe zotësia e artistit qëndron këtu : duhet të kaperxejë realitetin me frymën e tij, duhet të nxjerrë dhe të shfaqë me intuitën e tij gjithë atë lëndën e bukur që nuk e shquan dot një njeri i thjeshtë.
Autorët janë kujdesur që filmi, veç vlerave artistike, te sjellë edhe informacion te ri, të panjohur më parë, për poetin e shquar. Valentina Hysi, tashmë autore e një romani të mirëpritur me titull “Kthesa”, është skenariste e disa filmave të veçantë me tematika te paprekura më parë, ku shquhen gjetjet origjinale dhe gërshetimi mjeshtëror mes artistikes dhe dokumentares. Tani ajo vjen me e pjekur e me kulturën e duhur per të sjellë me rrëfimin e saj ndjenja dhe emocione te veçanta. Ndërsa Xhemal Reçi, producent i filmit dhe mjeshtër i vjetër i kameras është kujdesur për të gjetur ekuivalentin e duhur filmik në zbërthim të vargjeve. Si gjithmonë edhe kësaj radhe, Gjergji Pano me montazhin inteligjent te tij, i ka dhënë vlera të papërsëritshme filmit.
Realizuesit dhe aktorët, të gjithë së bashku, janë nën udhëheqjen artistike të Ylli Pepos, që nuk rresht të japë kontributin e tij të cmuar ne fushën e filmit shqiptar. Ai akoma mbetet më prodhimtari ndër kineastët e sotëm e njëkohësisht më befasuesi. Veçanërisht kur është fjala për lidhjet mes ekranit dhe letërsisë.
Aktivitete të tilla me vlera të mirëfillta njohëse dhe artistike janë të mirëpritura nga të gjithë. Personaliteti i figurave të kombit duhet të ruhen e të promovohen, por që kërkojnë më shumë vëmendje dhe mbështetje nga strukturat shtetërore dhe jo vetëm.