E nisur që në vitin 2009, sot pas 13 vitesh ende flasim për projekt dhe ndërtim të rrugës Qukës-Qaf -Plloçë.
E gjatë vetëm 43.4 km rruga ka patur probleme me projektin dhe për rrjedhojë edhe me financimin. Këtë të martë ministria e financave nënshkroi një financim shtese me Fondin Saudit për Zhvillim prej 25 mln dollarë.
“Marrëveshja shtesë synon plotësimin e financimit të nevojshëm për përfudnimin me sukses të këtij projekti me rendësi të veçantë, duke garantuar kështu rrugën më të shkurtër të ndërlidhjes midis kryeqytetit dhe zonave të juglindjes deri në kufi me Greqinë” – u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Rruga është e ndarë në tre lote, ku i pari dhe i dyti financohen me kredi nga banka islamike, ndërsa loti i treti me kredi nga fondi saudit në masën 50 mln dollarë.
Kredia e arritur me fondin saudit ka terma lehtësuese me një normë interesi prej vetëm 2 %. Në total kostoja e këtij segmenti rrugorë po kap shifrën e 200 mln dollarëve, ndërsa afatet për përfundimin e kësaj rruge kanë sfiduar çdo ministër infrastrukturë në këto 13 vite.
/e.d