Ditë të zeza për konsumatorin kosovar. Tarifat e energjisë elektrike do të shtrenjtohen për rreth 15 për qind nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë ia miraton kërkesat e KEK-ut dhe KESCO-s për të hyrat maksimale për vitin 2016, shkruan “Koha Ditore”. Kjo përqindje është kalkuluar në bazë të kërkesës që KESCO-ja e KEK-u kanë bërë për të hyrat për vitin 2016 për të mbuluar kostot e operimit dhe për të kompensuar humbjet nga e kaluara.
Bazuar në aplikacionet e këtyre dy kompanive që janë publikuar në ueb-faqen e ZRrE-së, ato kanë kërkuar të hyra që janë për 19 për qind më të larta se ato të vitit të kaluar. Mirëpo zakonisht përqindja e rritjes së tarifave është më e vogël se përqindja e rritjes së të hyrave. KEK-u ka kërkuar 29 milionë euro më shumë buxhet sesa që kishte në vitin 2015.