Karl Heinz Rummenigge ka këmbëngulur se Bayern nuk do të blejë asnjë mbrojtës, pavarësisht dëmtimeve të Javi Martinez e Jerome Boateng.
Planet e bavarezëve kanë pësuar tronditje të fortë, kur spanjolli, i cili shihej si zëvendësues i Boatengut në qendër të mbrojtjes, është dëmtuar përsëri, duke e lënë skuadrën thuajse pa mbrojtës.
Por shefi ekzekutiv përsërit të njëjtin qëndrim që pati edhe pas dëmtimit të Boatengut, që klubi nuk do të shfrytëzojë orët e fundit të merkatos, e cila mbyllet sot, për të blerë zëvendësues.
“Tani nuk ka lojtarë cilësorë për t’i blerë në dimër”, tha Rummenigge.
Por ai shtoi edhe se dëmtimi i Martinezit nuk është aq i rëndë sa u tha në fillim.
“Bëhet fjalë për disa javë, jo disa muaj”, konfirmoi ndërkohë që Boateng do të qëndrojë tre muaj jashtë.
Pa Martinez e Boateng, Xabi Alonso dhe Holger Badstuber luajtën në qendër të mbrojtjes dje në fitoren 2-0 kundër Hoffenheim, ndërkohë që sot do të dalë në stërvitje marokeni Medhi Benatya.