Kremlini ka kërcënuar se do të shkatërrojë çdo fabrikë të ndërtuar në Ukrainë që prodhon dronet sulmuese turke.
Sipas agjencisë së Kremlinit TASS, që citon zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, theksohet se objektet e tilla ushtarake vetëm sa zgjasin vuajtjet e ukrainasve.
“Krijimi i një objekti të tillë ushtarak, i cili do të çmilitarizohet menjëherë, vetëm sa do të zgjasë vuajtjet,” tha Peskov.
Sipas Peskov, ndërtimi i uzinës nuk do të ndërhynte në planet e forcave pushtuese ruse por vetëm do të zgjaste luftën.
Ndërkohë, kompania turke Baykar Makina, prodhuesi i dronit Bayraktar TB2, thotë se tashmë ka zhvilluar vetë dizajnin e uzinës dhe synon ta zbatojë atë deri në fund të vitit 2022.
Ukraina ka përdorur dronin Bayraktar TB2 me sukses të madh në betejat e saj kundër forcave pushtuese ruse.
Gjithashtu, raportohet se dronet janë përdorur në operacionin për fundosjen e anijes ruse të Detit të Zi Moskva në muajin prill.
Në të njëjtën kohë, Rusisë i është dashur t’i drejtohet Iranit – për furnizime me dronë për forcat e saj.
Vladimir Putin u përpoq gjithashtu të negocionte bashkëpunimin me Baykar Makina, siç ishte paralajmëruar më parë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, por drejtori ekzekutiv i kompanisë Haluk Bayraktar tha se ai kurrë nuk do të lejonte shitjen e dronëve të tij në Rusi, pasi ai mbështet plotësisht Ukrainën.
/e.d