Shtohen dyshimet për raportin e Ilir Metës (Metaj) me ish Sigurimin e Shtetit. Edhe pse Meta pretendon se nuk është ai Ilir Metaj që deklaron Autoriteti i Dosjeve që ka spiunuar shokun e tij Filip Talon, disa veprime dhe qëndrime të ish presidentit ngrenë dyshime të forta. Krahas operimit në mënyrë të çuditshme me dy mbiemra Meta dhe Metaj si dhe vendosjes si kusht në ligjin e dosjeve të vitit 2015 që të mos verifikoheshin personat që kanë marrë një herë certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet ‘Mezini’ dhe ‘Bezhani’, Meta ka kundërshtuar fort që në vitin 1995 hapjen e dosjeve.
Nisma e parë për trazimin e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit ka alarmuar Ilir Metën, i cili akuzonte Sali Berishën, sot aleatë për kokë, se po tentonte të eliminonte politikisht kundërshtarët politikë përmes zbulimit të spiunëve të ish Sigurimit.
Në 22 shtator të vitit 1995, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi ligjin për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”. Dy muaj më pas u miratua ligji për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik. Në bazë të këtyre dy ligjeve, u hapën për herë të parë dosjes e ish Sigurimit të Shtetit dhe komisioni ‘Mezini’ lëshoi certifikata për pastërtinë e figurës për deputetët dhe zyrtarë të tjerë.
Ilir Meta, siç provohet nga ky dokument parlamentar, rezulton se është pozicionuar kundër ligjit që hapte dosjet, duke akuzuar Sali Berishën, në atë kohë President, si një strategji elektorale për t’u hequr në mënyrë të dhunshme disa figurave të PS të drejtën për të kandiduar për deputet. .”.Është thjesht një blof elektoral që drejtohet kundër opozitës për ta identifikuar atë me gjenocidin komunist, për të skualifikuar në mënyrë arbitrare figurat politike të opozitës të papërballueshme politikisht nga partia në pushtet dhe Presidenti Berisha”, deklaronte Meta.
Ilir Meta e konsideronte ligjin si një gjenocid i ri kundër PS nga ana e Sali Berishës, të cilin sot e ka aleatin kryesor politik. Megjithatë, Meta arriti të merrte certifikatën se nuk ishte spiun si nga komisioni ‘Mezini’ ashtu edhe nga komisioni ‘Bezhani’, drejtuar nga Nazif Bezhani, të cilin e dekoroi kur ishte President.
Qëndrimi i Metës kundër hapjes së dosjeve në shtator 1995
Ky projektligj “Për të dënuar gjenocidin komunist”, që vjen pas mëse 4 vjetësh nga rrëzimi i regjimit komunist dhe pikërisht në prag të fushatës elektorale, është thjesht një blof elektoral që drejtohet kundër opozitës për ta identifikuar atë me gjenocidin komunist, për të skualifikuar në mënyrë arbitrare figurat politike të opozitës të papërballueshme politikisht nga partia në pushtet dhe Presidenti Berisha. Pasi nuk arriti dot të përçajë Partinë Socialiste, Partia Demokratike kërkon që në mënyrë të dhunshme t’u heqë të drejtën e përfaqësimit të elektoratit disa figurave të opozitës, madje edhe disa figurave të shquara të kulturës kombëtare, si Dritëro Agolli e Moikom Zeqo.
Duke u marrë sot, pas 4 vitesh, me gjenocidin komunist, pikërisht tani në prag të fushatës elektorale, partia në pushtet synon të shmangë vëmendjen e opinionit publik dhe të qytetarëve nga gjenocidi i ri që ka nisur prej tre vjetësh kundër opozitës në Shqipëri, ku mbajtja në burg me çdo kusht e kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano, duke përdhunuar përfundimisht edhe drejtësinë, siç ndodhi dje, me heqjen e Zef Brozit nga kryetar i Gjykatës së Kasacionit, nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike që zgjodhi pak kohë më parë, tregon qartë angazhimin antidemokratik të Sali Berishës dhe të mbështetësve të tij për të instaluar në mënyrë të hapur dhe diktatoriale pushtetin personal.
Duke dënuar regjimin komunist për krime ndaj qytetarëve ndaj sundimit të tij, ne jemi për t’u vënë përpara përgjegjësisë ligjore, sipas Kodit Penal, cilindo që ka kryer krime të tilla. Por, te ky projektligj nuk është qëllimi për të ndëshkuar sipas ligjit autorët e krimeve dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, por për t’u hequr në mënyrë spekulative nga zgjedhjet e ardhshme disa figura të opozitës. Nuk ka asnjë ligj që t’i heq popullit, elektoratit, të drejtën për të besuar dhe mbështetur në të ardhmen këto figura, pasi tani është e qartë se ligjet e kësaj shumice të verbër në Parlament vetëm sa e forcojnë bindjen elektoratit për dështimin e saj të turpshëm e të pashmangshëm në zgjedhjet e ardhshme që s’mund të kompensohen me spektakle komedie, si kjo e sotmja.
Me këtë ligj, siç e tha me transparencë dhe një koleg i Partisë Demokratike, na u dashka rinovimi i Partisë Socialiste, na u kërkuaka modernizimi i saj, dhe sipas këtij ligji dhe sipas kësaj logjike, na u dashka edhe fitorja e Partisë Socialiste nga deputetët e Partisë Demokratike. Pra, për të mirën e Partisë Socialiste, të nderuar deputetë të Partisë Demokratike, nuk ju ka mbetur gjë tjetër, vetëm se të miratoni edhe një ligj që Partia Demokratike të përcaktojë listën e deputetëve të Partisë Socialiste dhe të opozitës në zgjedhjet e ardhshme. Ky është një ligj i bërë në panik, në panikun e humbjes së zgjedhjeve të ardhshme, në panikun e përgjegjësisë së secilit për krimet, korrupsionet dhe shkeljet e ligjit që janë bërë, ndaj ky ligj është i zhvleftësuar që nga konceptimi dhe propagandimi juaj bolshevik.
/shqiptarja.com/ a.r
A nuk përputhet me thënien e Saliut në 1992-1996 , “jemi fajtorë e bashkëvuajtës njëkohësisht”? E ja ku paska fjet lepuri?!