Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për ekspertizë nëntë celularët e gjetur në makinën tip Mercedez Benz ML, në të cilën u ndaluan Denis Shtraza e Ervin Dalipaj në Durrës më 6 janar, natën e rrëmbimit të Gazmend Çollakut.
Nga ana tjetër, prokuroria ka marrë mostrat biologjike të Denis Shtrazës për të krahasuar ADN-në e gjurmëve të gjakut që janë gjetur në bagazhin e makinës me ato që janë gjetur në fashetat që ishin përdorur për të lidhur duart e Gazmend Çollakut.
Prokuroria ka thënë se gjaku në fashetat e duarve të viktimës është i njëjtë me atë që është gjetur në bagazhin e makinës.
Megjithatë, nga hetimi ka rezultuar se gjurmët në fjalë nuk janë të Gazmend Çollakut dhe për këtë arsye prokuroria ka kërkuar që me anë të ADN-së të përcaktojë nëse gjaku në makinë dhe në duart e viktimës është i Denis Shtrazës apo ndonjë personi tjetër.