Në fjalimin e tij të fundit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se situata përreth impiantit bërthamor të Zaporizhias po rëndohet.
Kievi dhe Moska së fundmi akuzuan njëra-tjetrën se po sulmonin impiantin më të madh bërthamor, duke shkaktuar ndaljen e tij.
“Fatkeqësisht, situata rreth impiantit në Zaporizhia po rëndohet. Terroristët rusë u bënë të parët në botë që përdorin një impiant të tillë, më i madhi në Evropë, për të ushtruar terror. Ne do ta sjellim çështjen në vëmendjen e botës dhe do insistojmë për sanksione të reja ndaj Rusisë për këtë kërcënim global”, u shpreh Zelenski.
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi shprehu në një deklaratë shqetësimin e tij për bombardimin e impiantit bërthamor më të madh të Evropës, pasi sipas tij rrezikon një katastrofë bërthamore.
Ndërkohë, në një postim në Twitter, shefi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell i quajti aktivitetet ushtarake një “shkelje serioze të rregullave të sigurisë”.
Trupat ruse nisën të shtunën një sulm në Bakhmut dhe Avdivka, dy qytete të rëndësishme në rajonin e Donjeckut dhe vijuan sulmet me raketa ndaj qyteteve të tjera ukrainase, bëri të ditur ushtria vendase.
Vitali Hura, nënkryetar i qytetit të pushtuar Nova Kakhovka, në rajonin e Kersonit, ndërroi jetë në spital pasi u qëllua. Sipas agjencisë së lajmeve “RIA Novosti”, persona të panjohur e qëlluan atë disa herë.
Ndërkohë, dy nga tre aniije të tjera me tonelata drithëra të nisura nga Ukraina u ankoruan ditën e shtunë në veri të Stambollit, ku ndodhen në pritje të inspektimit. Anija me flamur panamez “Navi Star”, që mban 33 mijë tonelata grur për Irlandën, u nis nga Odesa ditën e premte.
/a.r