Të enjten, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding u takua me presidentin shqiptar Bajram Begaj. Dy palët shkëmbyen mendime për marrëdhëniet kino-shqiptare dhe bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme.
Ambasadori Zhou Ding e uroi z.Bajram Begaj për zgjedhjen si president i Shqipërisë dhe tha se mes Kinës e Shqipërisë ka miqësi të thellë tradicionale. Në vitet ’60 e ’70 të shekullit të kaluar, Kina dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie të ngushta dypalëshe. Kina i dha Shqipërisë shumë ndihmë për të nxitur zhvillimin ekonomik e shoqëror, kurse Shqipëria dha kontribut të dukshëm për rivendosjen e statusit të Kinës së Re në OKB. Vitet e fundit, në bazë të nismës “Një brez, një rrugë” dhe të mekanizmit të “Bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve të Europës Qendrore e Lindore”, dy vendet kanë forcuar pandërprerë besimin e ndërsjellë politik dhe bashkëpunimin konkret. Si rezultat, marrëdhëniet dypalëshe kanë pasur përparime të reja. Vjet në tetor, me rastin e 50-vjetorit të rikthimit të vendit të ligjshëm të Kinës në OKB, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi vizitoi Shqipërinë, duke nxitur më tej marrëdhëniet kino-shqiptare. Kina dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare në bazë të nismave të zhvillimit e të sigurisë globale, të paraqitura nga presidenti kinez Xi Jinping, për të krijuar së bashku bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit.