Pas sulmit kibernetik, AKSHI njofton se të gjitha shërbimet publike online janë rikthyer në normalitet të plotë. Aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online mund të përdoren nga qytetarët si më parë.
Njoftimi i plotë:
Pas thuajse 3 javësh nga agresioni kibernetik, shërbimet online për qytetarët dhe bizneset janë normalisht të aksesueshme.
Aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë.
Janë në funksion të plotë edhe shërbimet e:
– aplikimit të formularit për lëshim për herë të parë ose rinovim të pasaportës
– deklarimit të humbjes së dokumenteve të ndryshme
– ndihmës ekonomike për individët dhe vërtetimit mbi masën e përfitimit të ndihmës ekonomike
– kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social
– lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës.
Ndërkohë, stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimet e fundit të mbetura siç janë: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja; vërtetimi i pagesës së aftësisë së kufizuar si dhe kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.
Nga dita e hënë do të mund të aplikohet edhe për Leje Ndërtimi (e-Lejet), vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe përdorimit të burimeve ujore.
Sistemet elektronike të rikthyera se fundmi në funksionalitet të plotë janë:
– Sistemi i Qëndres së Botimeve Zyrtare;
– e-Inspektimi;
– Sistemi i menaxhimit tëinformacionit për burimet njerëzore të administratës;
– Sistemi elektronik i ndihmës ekonomike.
Gjithashtu, është funksionale posta elektronike zyrtare për të gjithë punonjësit e administratës. Janë forcuar mekanizmat e sigurisë së email-it zyrtar si dhe është bërë kalimi i çdo mailbox-i në infrastrukturën cloud.
AKSHI shpreh mirënjohje për të gjithë punonjësit e ekipit që ia dolën të rikuperojnë në një kohë rekord shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të Microsoft për ndihmën gjatë gjithë këtyre ditëve.
Shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të një sulmi kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Burime për Report Tv bënë me dije se ka dyshime që sulmi mund të jetë rus. Kjo vjen pas sanksioneve që ka vendosur Shqipëria ndaj Rusisë dhe qëndrimin që mban për luftën në Ukrainë.
Sulmi klibernetik në platformat qeveritare online ka ardhur nga e njëjta dorë që ka bërë sulmet vitin e fundit në shumë vende evropiane. Kështu deklaroi Kryeministria përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat të hënën. Qeveria garantoi të gjithë shqiptarët se reagimi ka qenë i shpejtë dhe të gjitha faqet dolën të paprekura dhe janë të sigurta./m.j