Nga Dritan Hila
Pa kaluar 24 orë nga ngjarja e dhimbshme e Potamit, njeriu që ka në biografinë e tij 26 viktima të Gërdecit si përgjegjësi direkte e djalit të tij dhe 4 të vrarë në 21 janar, po rrëmben arkivolin e rradhës për të bërë një protestë kundër Ramës. Fabula në fakt nuk ka asnjë arsye ku të qëndrojë dhe as paralele, pavarësisht se frëngjia mediatike e djalit të tij, portali “Syri”, po bën çmos të kanalizojë një dhimbje mbarëkombëtare, në interes të familjes Berisha duke manipuluar faktet dhe shtrembëruar ngjarjen.
Turizmi shqiptar po pëson sulme nga të gjitha anët, ku një përgjegjësi e madhe është e familjes Berisha. 9 vite pas largimit të tij nga pushteti, kur industria e turizmit po përpiqet të rimëkëmbet, kur po krijohet kuadri ligjor për turizmin cilësor dhe detar, ku gjithë struktura e shtetit e cila ka mangësi materiale përpiqet të ngrejë një strukturë moderne mbi shkretëtirën që trashëgoi, Berisha shfrytëzon çdo rast dhe çdo arkivol që e ndihmon të thyejë dyert e Kryeministrisë që të mundet të hyjë edhe njëherë.
400 të vdekur në vit ka Italia nga mbytjet apo aksidentet ujore; disa herë më shumë se Shqipëria e krahasuar për frymë popullsie, por askush nuk merr arkivolet të shkatërrojë vendin. Njeriu që la 3.700 të vdekur në mandatin e parë dhe një shtet të shkatërruar, nam i cili do të na shoqërojë edhe në 100 vitet që vijnë; njeriu që bashkë me familjen hodhi në erë 26 shqiptarë në Gërdec dhe vrau 4 veta në mes të bulevardit, shpreson të nusërojë për herë të tretë dhe këtë rradhë duke shfrytëzuar arkivolin e një foshnje.
Nuk besoj se ka mbetur njeri në Shqipëri që nuk iu dhimbs ai fëmijë dhe që nuk dënoi e përbuzi një fundërrinë vrasëse që mbante uniformën e shtetit. Por pakkush, përveç plehrave që ka talentin të mbledhë Berisha rreth vetes, do t’i shkojnë pas në këtë sipërmarrje. Shqiptarët janë në nivelin e babait të foshnjës, që në mes të atij vaji që as hasmit nuk i urohet, kërkoi drejtësi nga shteti. Dhe drejtësia u bëftë, me shpresën që një ditë do të bëhet edhe ndaj njeriut që arkivolet i përdor për të ardhur në pushtet.