Ambasada amerikane në Kiev ka përshëndetur nisjen e anijes së parë me grurë nga portet e Detit të Zi në Ukrainë që prej fillimit të pushtimit rus.
Nëpërmjet një postimi në twitter Ambasada amerikane në Kiev shkruan se SHBA-të mirëpresin nisjen e anijes së parë nga portet e Detit të Zi të Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt.
“Bota do të vëzhgojë zbatimin e vazhdueshëm të kësaj marrëveshjeje për të ushqyer njerëzit në mbarë botën me miliona tonë drithë ukrainas të bllokuar”, shkruhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Prevent world famine together with @UN, @EU_Commission, #G7. The first ship left the Odesa port since 24.02.2022 pic.twitter.com/Nin8nSV8LM
— Oleksandr Kubrakov (@OlKubrakov) August 1, 2022
Anija Razoni me flamurin e Sierra Leone, me 26 mijë tone grurë, është larguar nga porti i Odesës, me destinacion Libanin. Ky është largimi i parë i një anijeje me drithë që nga fillimi i pushtimit rus, sipas ministrisë së infrastrukturës të Ukrainës.
“Ukraina së bashku me partnerët tanë ka ndërmarrë një hap tjetër sot në parandalimin e urisë në botë”, tha Oleksandr Kubrakov, ministri i infrastrukturës i Ukrainës, në një deklaratë të hënën.
Kubrakov theksoi se Ukraina kishte bërë gjithçka për të rikthyer aktivitetin në portet dhe se heqja e bllokadës do t’i jepte ekonomisë së Ukrainës 1 miliard dollarë të ardhura nga këmbimi valuator, raporton The Guardian.
Ministri i infrastrukturës i Ukrainës tha se 16 anije të ngarkuara ishin bllokuar në portet e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus dhe se ata planifikonin që portet të rifitonin kapacitetin e plotë të transportit në javët e ardhshme.
Rusia pranoi të lejojë anijet e grurit të largohen nga Ukraina dhe të mos i sulmojë ato në një marrëveshje që u nënshkrua më 22 korrik në Stamboll. Por më pak se 24 orë më vonë, vërtetësia e marrëveshjes u vu në dyshim kur forcat ruse goditën portin e Ukrainës, Odesa.
Kur u pyet nga ministri i mbrojtjes i Turqisë, Rusia në fillim mohoi se ishte e përfshirë në sulm.
Por të nesërmen ajo publikoi një deklaratë duke thënë se kishte goditur një anije ukrainase që mbante armë perëndimore e cila ishte në port. Autoritetet e Ukrainës hodhën poshtë shpjegimin e Rusisë.
g.kosovari