Shpaloset doktrina e re detare e Rusisë. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret për përditësimin e doktrinës detare ku përshkruhen kufijtë detarë të vendit dhe NATO e Shtetet e Bashkuara konsiderohen si kërcënimet kryesore të Rusisë. Duke folur në Ditën e Marinës së Rusisë në ish-kryeqytetin perandorak të Shën Petersburgut të themeluar nga Car Pjetri i Madh, Putin vlerësoi Pjetrin për bërjen e Rusisë një fuqi të madhe detare dhe rritjen e pozitës globale të shtetit rus.
Ai tha se aftësia e Marinës ruse për t’iu përgjigjur kërcënimeve menjëherë është kyçe në mbrojtjen e sovranitetit dhe lirive në Rusi. Putin shtoi se forcat detare, tokësore, ajrore dhe nëndetëset janë në gatishmëri të lartë dhe “vazhdimisht po përmirësohen”.
Dekreti, që u nënshkrua më 31 korrik në Ditën e Marinës, hyn në fuqi menjëherë. Në doktrinë përmenden aktivitetet dhe rritja e mundshme e aleancës ushtarake të NATO-s, dëshira e pretenduar e SHBA-së për të dominuar detet dhe supozimet se dëshiron të ketë pretendime mbi territorin e Rusisë. Në doktrinë po ashtu përmenden si kërcënim për sigurinë e Rusisë një sërë shtetesh të huaja, shkruan Reuters.
Po ashtu thuhet se Moska synon të rrisë potencialin e flotës detare. Në doktrinë po ashtu theksohet rëndësia strategjike e përpjekjeve të fundit ruse për të zhvilluar Rrugën Veriore Detare, të gjatë 5.600 kilometra, që do të lejonte anijet me dërgesa dhe anijet e tjera të mëdha të udhëtojnë përgjatë bregut të Artikut të Rusisë në Ngushticën e Beringut.
Presidenti rus premtoi se do të ketë ndërtim në shkallë të gjerë të anijeve dhe do të investohet në programet për kërkime shkencore detare.
Doktrina gjithashtu përcakton Oqeanin Arktik, të cilin Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht se Rusia po përpiqet ta militarizojë, si një zonë me rëndësi të veçantë për Rusinë.
Vija e madhe bregdetare e Rusisë prej 37,650 km (23,400 milje), e cila shtrihet nga Deti i Japonisë në Detin e Bardhë, përfshin gjithashtu Detin e Zi dhe Detin Kaspik.
Putin tha se dorëzimi i raketave hipersonike Zircon për fregatën Admiral Gorshkov do të fillonte brenda disa muajsh. Vendndodhja e vendosjes së tyre do të varet nga interesat ruse, tha ai.
“Gjëja kryesore këtu është aftësia e marinës ruse… Ajo është në gjendje t’i përgjigjet me shpejtësi rrufe të gjithë atyre që vendosin të cenojnë sovranitetin dhe lirinë tonë”, tha Putin.
/a.r