“Ulni çmimet, rritni rrogat dhe pensionet”, kjo është thirrja e drejtuesit të Partisë së Lirisë Ilir Meta i cili thotë se Qeveria do të duhet të mbështessë financiarisht çdo qytetar. Përmes një postimi në rrjetet sociale Meta akuzon qeverinë që nuk ka asnjë plan masash për të ndihmuar qytetarët për të tejkaluar krizën e çmimeve.
“Ulni çmimet! Rritni rrogat dhe pensionet! Mbështetni financiarisht çdo qytetar! Rritja marramendëse e çmimeve po thellon seriozisht varfërinë, çdo ditë ditë, duke kërcënuar si kurrë më parë buxhetet familjare. Fuqia blerëse po zvogëlohet, ndërkohë asnjë masë konkrete nuk po merret nga një Qeveri, e padenjë për besimin popullor dhe e pandjeshme për shtresat më në nevojë, veçanërisht për 935,821 qytetarë, që jetojnë sot me më pak se 5.5 USD në ditë. Nuk gjen dot një mall dhe as merr dot një shërbim, që sot nuk është shtrenjtuar, 2 deri në 5 fish! Por ndihma ekonomike nga qeveria është zero! Asnjë plan masash për të ndihmuar qytetarët për të tejkaluar krizën e çmimeve”, shkruan Meta.
Meta sjell në vëmendje masat e marra nga qeveritë evropianë në përballjen e krizës që nga uljet apo kompensimet e faturave të energjisë te ndihmat për qytetarët. Sipas Metës, Shqipëria ka nivelin nga më të lartë të çmimeve në përqindje të mesatares europiane krahasuar edhe me vendet e rajonit.
“Një Qeveri e ndjeshme dhe e përgjegjshme, do të bënte pikërisht atë që po ndodh sot në shumë vende europiane, siç janë bërë publike në media: Britania e Madhe, po ndërhyn me një zbritje prej 400 £ të faturës së energjisë për çdo familje në vit; Italia po planifikon të japë një bonus 200 € për punëtorët, që fitojnë 35,000 € në vit ose më pak; Spanja ka ulur TVSH-në në faturat e energjisë nga 21% në 10%; Franca po kompenson me 100 € çdo qytetar të saj; Gjermania po jep 100 € për familjet që marrin mbështetje, ndërsa ata që marrin asistencë për strehim do të marrin një shtesë prej 270 €; Holanda po u ofron familjeve të kualifikuara një kompensim energjie prej 800 €, si dhe ka ulur tarifën për karburantet me 21%. Shqipëria ka nivelin nga më të lartë të çmimeve në përqindje të mesatares europiane krahasuar edhe me vendet e rajonit, por Qeveria në vend të ndihmës ekonomike vazhdon të paguajë miliona euro për inceneratorët. Inceneratori i Elbasanit është financuar në vlerën 1.9 miliard lekë, inceneratori i Fierit është financuar në vlerën 3.6 miliard lekë, dhe inceneratori i Tiranës, që është financuar nga viti 2018 deri në vitin 2022 në 6.1 miliard lekë, dhe parashikohet të financohet me 3.5 miliard lekë shtesë për vitin 2023 dhe 2024. Miliarda lekë për klientët e Qeverisë dhe zero lekë për qytetarin e thjeshtë. Kjo Qeveri nuk meriton më të qëndrojë as edhe një minutë më shumë”, ka shkruar Ilir Meta në Facebook.
Në fund ai thotë se angazhimi më i madh i Partisë së Lirisë do të jetë Revolucioni Antikorrupsion, që do të ndëshkojë abuzuesit në çdo nivel dhe paratë e vjedhura prej tyre do t’u a kthejë shqiptarëve!