Merret vendimi për ish-kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe. GJKKO ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg ish-kryebashkiakun socialist i cili u arrestua pas abuzimit me tenderat për kanalet vaditëse.
Po ashtu Tushes i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vitet e ardhshme.
Prokuroria e Posaçme fillimisht kërkoi dënimin me 5 vite burg për Tushen. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, GJKKO e ka dënuar atë përfundimisht me 2 vite e 4 muaj heqje lirie.
Fatos Tushe u arrestua me 10 ish-vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 24 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender është fituar nga kompania EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet, fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Muratin Në fund, Lami dhe Murati i ndanin paratë bashkë.
Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll. Ish-kryebashkiaku i Lushnjës u shkarkua nga detyra nga një vendim i Këshillit të Ministrave pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.