Dorian Keqi, personi i arrestuar më 26 korrik 2022 nga policia e Lezhës si i dyshuar në vrasjen e ish-drejtorit të OST-së në Rrëshen, Saimir Jaku, do dalë para gjykatës këtij qytetit për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg”.
Kjo masë sigurimi është kërkuar nga prokuroria, pasi ndaj Keqit deri në këtë fazë të hetimit është ngritur akuza e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të Saimir Jakut dhe “Plagosjen e rëndë me dashje” ndaj shtetasit Gjergj Prenga.
Vrasja ka ndodhur në shtator të vitit 2016 në Rrëshen, por 6 vjet nga krimi i rëndë, policia pretendon se ka identifikuar një nga autorët.
Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë gjurmët e gishtave të Dorian Keqit, janë fiksuar në një kuti shkrepëse dhe një bindon me benzinë, sende këto që janë konstatuar disa metra larg vendit ku policia gjeti makinën e djegur, të përdorur në vrasjen e Jakut.
Gazetari Elton Qyno zbulon se gjatë marrjes në pyetje Dorian Keqi, i ka thënë policisë se ai nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se gjatë gjithë kohës ka punuar si punëtor krahu, që bën mure dhe llaç.
Keqi nuk ka pranuar autorësinë e krimit megjithëse gjurma e gishtit e tij, ka dalë në bidonin e benzinës dhe në kutinë e shkrepëses. Dy sende këto që kanë shërbyer për zjarrvënien dhe djegien e makinës së përdorur në krim.
Më tej Keqi, u ka kërkuar hetuesve që ta linin të lirë, pasi nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen e vrasjes dhe se vetë ai nuk kishte qenë asnjëherë në jetën e tij në atë zonë.
Pavarësisht pretendimeve të tij, prokuroria i është drejtuar gjykatës së qytetit të Lezhës, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Dorian Keqit nga Kruja.
g.kosovari