Një tjetër këngëtare që do të dhurojë performancë në sheshin Skënderbej nesër është Çiljeta. Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale. Në këtë event do të jenë të pranishme edhe Fifi dhe Xhensila Myrtezaj që do të performojnë këngët e tyre.
Kujtojmë se vite më parë Çiljeta ka pasur raport mjaft të mirë me Berishën por duket se nuk i jep rëndësi akuzave të këtij të fundit për Ramën dhe do të jetë në koncert si artiste pa u bazuar në marrëdhëniet e të shkuarës.
Koncerti i 28 korrikut do të mbahet për dy ngjarje speciale, e para ajo e 100 vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA, dhe e dyta çelja e negociatave të anëtarësimit për në BE.
Më 19 korrik Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të çeljes se negociatave, pas pritjes disa vjeçare. Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej.