Kabineti qeveritar i Shqipërisë dhe ai i Serbisë e Maqedonisë së Veriut prej dy ditësh kanë zhvilluar një sërë diskutimesh në Tiranë ku prioritet kanë qenë kriza e energjisë, furnizimi me ushqim dhe mbrojtja civile. Në takimet e zhvilluara mes Zëvendëskryeministri të Serbisë, Zëvendëskryeministri të Maqedonisë së Veriut, ish- Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ministres së Financave Delina Ibrahimaj, ministres së Bujqësisë Frida Krifca dhe ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe përfaqësuesve të bizneseve është rënë dakord për një sërë marrëveshjesh.
Në takime është rënë dakord që Shqipëria do të furnizojë me qymyr Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut që ato të prodhojnë energji elektrike, ndërsa nga ana tjetër këto dy shtete do të heqin kufizimet për të furnizuar Shqipërinë me produkte ushqimore, konkretisht me grurë, misër, vaj dhe sheqer. Të gjitha dakordësitë e arritura do të materializohen në marrëveshje dhe memorandume, në mbledhjen e qeverive në 1 shtator që do të zhvillohet në Beograd.
Zv.ministri i Energjisë: Do të furnizojmë me qymyr Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut që ato të prodhojnë energji elektrike
Kriza energjetike ishte një nga pikat kyçe të takimit të kabineteve të tre shteteve në Tiranë. Fokusi ka qenë se si të rrisin kapacitetet energjetike mes vendeve. Zëvendësministri i Energjisë Ilir Bejtja tha se deri në shtator do të bëhet gati plani i shfrytëzimit të burimeve respektive të shteteve për të garantuar energjinë brenda rajonit, dhe për këtë po shikohet mundësia e planeve të përbashkëta të investimit.
“Në shtator të kemi një plan të përbashkët për shfrytëzimin e burimeve respektive që janë të ndryshme midis palëve për sigurimin e energjisë brenda rajonit me qëllim që të ulim sa më shumë efektet e importit të energjisë. Pala serbe kërkoi që të ketë më tepër furnizime qymyri dhe ne kemi rezerva qymyri për t’i ofruar, dhe në këtë aspekt na duhet të punojmë për të bërë specifikimet teknike dhe fizike të qymyrit që kemi dhe sa shpejt mund të bëhet i vlefshëm për tu eksportuar drejt Serbisë.
Po kështu edhe Maqedonia e Veriut e cila ka prodhim të energjisë me qymyr dhe kërkojë të kishte shfrytëzim të këtyre kapaciteteve. Nga ana tjetër pala maqedonase u shpreh e gatshme që të bashkëpunojë me palën shqiptare në përshpejtimin e procedurave për të pasur sa më shpejt gazin e lëngshëm dhe gazit natyral në tregun rajonal.
Mund të kryejmë investime të përbashkëta sidomos nga pala maqedonase sidomos në burimet e rinovueshme duke shfrytëzuar mundësitë që ofron Shqipëria në panele fotovoltaike, dhe kombinimi me kontrata afatgjata i furnizimit të tre vendeve me energji që të kemi çmime sa më të favorshme. Kjo do të bëjë të mundur që të kemi shkëmbimin e energjisë mes vendeve më parë dhe më pas shkëmbimin e energjisë me rajonin”- tha zv.ministri Bejtja.
Ministrja e Bujqësisë: Tavanet do hiqen për ushqimet, bizneset do mund të blejnë, por nuk do i tregtojnë në vende të tjera
Në përfundim të diskutimeve ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, tha në Konferencën e përbashkët për shtyp se memorandumet për zhbllokimin e tregtisë së ushqimeve për të garantuar sigurinë ushqimore dhe furnizim pa ndërprerje do të nënshkruhen në mbledhjen e ardhshme të 1 shtatorit që do mbahet në Beograd.
“Gjatë këtij takimi ne vendosëm të angazhohemi për të eliminuar çdo kuotë të vendosur mbi furnizimin për mallrat e lidhura me sigurinë ushqimore, pala maqedonase angazhohet për të hequr bllokimin e vendosur për produktet eksporteve ushqimore javën shkoi, dhe pala serbe të eliminoj tavanet eksportuese drejt Shqipërisë për produktet e grurit dhe misrit të vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave, ky memorandum do të nënshkruhet në serbi në fillim të shtatorit.
Gjithashtu operatorët ekonomik janë të lirë për nënshkrimin e kontratave të furnizimit me çdo mall përfshirë këtu produktet që kanë lidhje me sigurinë ushqimore, me kushtin që produktet që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore si gruri, misri, sheqeri apo vaj vegjetal të ndalohet rishitja”, tha në konferencë Frida Krifca.
Më 20 korrik qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi masa të reja për përballimin e krizës ekonomike që parashikonte ndalimin e eksportit të grurit, miellit. Vendim që erdhi pas pasigurisë dhe çmimeve të larta që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Një vendim i tillë sipas qeverisë maqedonase erdhi si nevojë për të garantuar furnizim të brendshëm të qytetarëve.
Mbi vendimin e kufizimit të eksporteve të produkteve ushqimore dhe reagimeve që ka shkaktuar në konferencë foli ZV/kryeministri për Çështje Ekonomike në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi i cili tha se janë të gatshëm për trajtim preferencial të vendeve të Ballkanit të Hapur.
“Vendimi jonë i njëanshëm për ndalimin e eksportit ka shkaktuar reagime të caktuar por kemi sqaruar se kjo ka qenë për shkak të nevojave tona të brendshme dhe që gjithsesi jemi të hapur dhe të kemi trajtim preferencial ndaj vendeve që janë pjesë e Ballkanit të Hapur përsa i përket nevojave të tyre. Ushqimi për të gjitha vendet do të jetë i mjaftueshëm dhe do të mjaftojë për të gjithë ne përmes bashkëpunimit të ndërsjellët”, u shpreh Fatmir Bytyqi.
Shqipwria ka tre burime qymyri si Valias ,Manza ,Ktrabe dhe sidomos Memaliaj per cilesine e larte . Investimet te behen nga shteti dhe jo privati qe deri tani ka deshtuar . Cmimet e larta te qymyrit do te shlyejne investimet per nje kohe te shkurter