Pamjet filmike të kamera të sigurisë në zonë, janë e vetmja shpresë për hetuesit që mund të ndihmojë në zbardhjen e atentatit të ndodhur mbrëmjen e së premtes në Milot, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos Ylli Brahimi. DVR e kamerave të sigurisë në banesën e Brahimit është dërguar për ekzaminim të specializuar në Tiranë, pasi mendohet se këto kamera e kanë filmuar sulmin me armë, por nuk janë arritur të hapen nga hetuesit.
Po ashtu janë administruar disa orë filmime të kamera të bizneseve përgjatë Bulervardit të Milotit dhe akseve rrugore nga ku mendohet se kanë ardhur dhe më pas larguar autoret e ngjarjes. Pamjet filmike po analizohen me kujdes nga ana e grupit hetimor me qëllim krijimin e një imazhi të autorëve të kësaj ngjarje. Hetimet në lidhje me këtë ngjarje po drejtohen nga Prokuroria e Kurbinit, në bashkëpunim të ngushtë me departamentin kriminal në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë. Hetuesit kanë dyshime të forta se për realizimin e këtij atentati janë angazhuar dhe persona të tjerë, në rolin e informatorëve.
Më shumë se një person mendohet të ketë survejuar lëvizjet e Ylli Brahimit dhe Klisman Preçit, gjatë gjithë ditës së premte duke dhënë informacion tek atentatorëve të cilët 10 minuta para ngjarjes kishin ndaluar makinën në rrugicën e pallatit ku jetonin shënjestrat e tyre dhe sapo makina e blinduar është afruar kanë qëlluar me breshëri plumbash me dy armë.
Ndërkohë hetuesit nuk kanë mundur ende të sigurojnë dëshminë e Ylli Brahimit, i cili mbeti i plagosur dhe po merr trajtim në Spitalin e Traumës. Sipas burimeve nga bluzat e bardha, ai vijon të jetë në gjendje jo të stabilizuar shëndetësore. Ylli Brahimi 46-vjeç dhe Klisman Preçi 27-vjeç që të dy banues në Milot u sulmuan me armë zjarri mbrëmjen e së premtes, teksa po hynin me automjetin e tyre të blinduar tek pallati ku ata jetonin. Hetimet në lidhje me ngjarjen janë përqendruar tek e shkuara e dy personave brenda dhe jashtë vendit, ndërsa ishin sulmuar dhe me parë me armë zjarri, por atentatet kishin dështuar.
g.kosovari