Sali Berisha dhe grupi i tij bojkotuan sot seancën e inaugurimit të Presidentit të ri të Republikës, përkundër “detyrimit” që ka nga statuti i ri i partisë së tij, ku është “sanksionuar” se kjo parti nuk do të bojkotojë më asgjë nga detyrimet e jetës poltike parlamentare.
Nuk ja marrim për të madhe pse e ka harruar që e ka miratuar, pasi ajo ishte gënjeshtër për fazën e parë të fushatës.
Ajo që është interesante dhe që Berisha përpiqet ta fshehë nga publiku, është arsyeja reale e bojkotit. Berisha dhe çeta e tij, e bojkotoi Kuvendin, pasi nëse ai do të shkonte, ambasadorët më të rëndësishëm të Perëndimit do ta lëshonin ceremoninë, në shenjë proteste. Ky ishte një paralajmërim edhe për Ilir Metën.
E marr me mend se ka qenë skenë e sikletshme t’i komunikoje Berishës faktin që “ardhja jote na prish punë”, por me sa duket halli të detyron të bëhesh trim me zor.
Dhe për të ruajtur Ilir Metën, që të mos dukej se perëndimi po e bojkotonte edhe atë, Sali Berisha pranoi t’i kthehet zakonit të vjetër të bojkotit, duke harruar statutin e partisë, vetëm që të shmangte poshtërimin publik. Nga ana tjetër, me këtë rast i shpëtonte dhe ceremoninë Ilir Metës, dhe shamnmgte një lajm të ri të fortë kundër tij, që do ta dëmtonte më shumë se ky bojkoti.
Sidoqoftë dhe këtu nuk i qëndruan të gjithë besnikët në rresht. Disa prej atyre që e kanë një këmbë tek ai, e një këmbë tek PD zyrtare, u shfaqën në Pallat të Brigadave. Në fund të fundit kanë kohë të mendohen se çfarë do bëjnë dhe ata.
Por ky nuk është më lajm. Lajm do të ishte boshatisja e ceremonisë nga ambasadorët e perëndimit sapo të shfaqej Berisha aty. Dhe do të merrej njëkohësisht si braktisje dhe për Ilir Metën.
Vetëm për kaq të dy harruan rrahjet sovraniste të gjoksit, harruan “dinjitetin” para ambasadorëve, harruan të mbajnë kokën lart e tu tregojnë vendin perëndimorëve të korruptuar. Dhe njëri, ai që ka mbaruar punë me Perëndimin, bojkotoi duke mos u dalë më parpara. Tjetri i takon për herë të fundit.