Dje u bë virale një video e publikuar nga kryeministri në detyrë i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i cili mori pjesë në një stërvitje trajnimi të trupave ukrainase, nga ana e ushtrisë britanike. Në video shfaqej kryeministri britanik që mbante në krah antitankun e famshëm Javelin, i cili ka rezultuar efektiv në luftën e Ukrainës në neutralizimin e tankeve të famshëm rusë.
Ndërkaq, në Londër, ka qenë këto ditë edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili është takuar me përfaqësues të dy kompanive të njohura të teknologjisë ushtarake Lockeed Martin dhe “Airbus Helicopters”. Në fotot që publikohen nga ministria e Mbrojtjes, shfaqet edhe Niko Peleshi që mban në krah një antitank Javelin, për të cilët është folur se do të furnizohet edhe ushtria shqiptare.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u takua gjatë vizitës zyrtare në Britaninë e Madhe me zëvendëspresidentin e kompanisë amerikane “Lockheed Martin” për Europën, z. Jonathan Hoyle. Mes palëve u diskutua rreth projekteve aktuale dhe atyre në vijim që FA ka me firmën prestigjoze të teknologjisë së mbrojtjes “Lockheed Martin”, në veçanti për operacionalitetin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore të Republikës së Shqipërisë, si dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare të vendit.
Gjatë bisedimeve, ministri Peleshi u shpreh se të dy palët duhet të eksplorojnë të gjitha avantazhet, disavantazhet dhe përfitimet nga ky bashkëpunim duke shprehur besim në performancën dhe gjurmët e “Lockheed Martin” deri në zbatimin e plotë të projekteve që kjo firmë ndërmerr.
Një takim të veçantë ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi edhe me zëvendëspresidentin e kompanisë “Airbus Helicopters” për Europën Juglindore dhe Izraelin, z. Cesar Sanchez Lopes. Bisedimet u fokusuan në problematikat aktuale dhe gjetjen e mekanizmave dhe hapësirave të reja për përmirësimin e procesit të mirëmbajtjes së helikopterëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.