Policia e Sarandës ka vënë në pranga ditën e sotme një person të shpallur në kërkim,. Pasi ishte dënuar me 20 vite burg, për një vrasje të kryer 24 vite më parë.
Sipas policisë u arrestua Hair Breshanaj, 62 vjeç, banues në Sarandë, i cili 24 vite më parë kishte vrarë shtetasin N.N në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Vrina”.
Operacioni, nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat e DVP Vlorë.
Kapet dhe vihet në pranga, në fshatin Vrinë, një shtetas i shumëkërkuar, i dënuar me 20 vjet burgim, për vrasjen e një shtetasi, në vitin 1998.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së informacionit se një shtetas i shumëkërkuar fshihej në fshatin Vrinë, Sarandë, organizuan punën dhe pas disa ditësh mbajtjeje nën kontroll, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat e DVP Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Vrina”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe prangosja e shtetasit:
– Hair Breshanaj, 62 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 21.12.2000, e ka dënuar me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”. 62-vjeçari, më datë 24.11.1998, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me thikë shtetasin N. N.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
/e.d