Vera e nxehtë ka shtuar infektimet me Covid-19, por jo vetëm. Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj infektimeve dhe virozave të tjera të stinës, që shpesh neglizhohen. Dritarja e Doktorit ishte pranë tij në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, për të mësuar më tepër si të mbrojmë shëndetin këtë periudhë.
“Pandemia ka një dukuri që vijon me valë, zakonisht pandemitë e rregullta kanë një kurbë, e cila vjen në rritje dhe më pas zbret, deri sa ato endemicizohen. Sars Covid nuk e ka respektuar këtë teori dhe po kalon valë-valë. Në mendimin tim tani jemi në bishtin e pandemisë, e cila ende nuk dihet sa do të zgjasë. E keqja është se kemi të bëjmë me një virus, i cili ndryshon shumë në pamjen e tij. Kemi të bëjmë me virus që depërton në brendësi të qelizës, duke dhënë forma të reja të klinikës, kjo shmang edhe imunitetin e fituar.
Megjithatë gjatë stinës së verës duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë jemi duke kaluar. Pasi në këtë moment nuk është vetëm Covid-19, por edhe viruse të tjera infektive me shenja të njëjta klinike. Kemi atë që quhet gripi i verës ose ethet 3 deri në 5 ditore, që ka të njëjtat simptoma klinike si Covid-19, nuk arrin t’i dallosh pa një tampon apo PCR.
Vera ka edhe infeksione të tjera që mbizotërojnë, siç janë infeksionet që lidhen me ujin, me ushqimet apo edhe insektet. Vetë uji i detit dhe pishinave ka mukoza, që e ndihmojnë virusin të notoj në to, pra vera nuk është e qetë nga prania e viruseve. Ndërsa vjeshta, sjell virozat e vjeshtës, të cilat janë po ashtu të njëjta me Sars Covid.
Ajo që vihet re nga Covidi është se nuk ka më problem klinike të rënda si pneumonitë, por problem klinike si dhimbje fyti apo kolle të lehtë, ndoshta edhe çrregullime si barku dhe të vjellat, por që njihen si ajo që quhet gripi i stomakut. Këto janë viroza ose infeksione bakteriale që janë prezente deri në fund të stinës së vjeshtës.
Rritja e hospitalizimeve ndodhi sepse për momentin nuk është vetëm Covid, që po e ngarkon situatën epidemiologjike. Shumë personave iu rëndohet shëndeti nga temperaturat e larta. Temperaturat e larta vrasin po njësoj sa infeksionet. Temperaturat sjellin çrregullimeve të sëmundjeve kronike si diabeti, zemra, veshkat ose të sëmurët me HIV. Këto sëmundje shoqëruese e mbingarkojnë situatën në shëndetin e një të infektuari me Covid-19″,-u shpreh mjeku infeksionist Kalo në Dritare TV./m.j