Një çift shqiptarësh kanë rënë në prangat e policisë italiane ditën e sotme, nën akuzë për trafikim lëndësh narkotike.
Sipas mediave të huaja, çiftit të bashkëshortëve iu sekuestrua një sasi prej 70 kg kanabis dhe kokainë, pasi u pikasën nga policia pranë një dyqani në zonën e Mestre.
Automjeti ku ishin çifti shqiptar, ndërruan menjëherë drejtim sapo panë policinë. Kjo ka ngjallur dyshime tek efektivët të cilët i ndaluan dhe i shoqëruan drejt shtëpisë së tyre për një kontroll të imtësishëm të mjetit.
Në oborrin e banesës, efektivët konstatuan një tjetër makinë ku brenda bagazhit, u gjet një sasi prej 20 kg kanabis. Në këtë moment, burri shqiptar tentoi të arratisej me vrap, por nuk i ka shpëtuar dot policisë. Efektivët më pas kontrolluan banesën e çiftit ku gjetën të fshehura brenda aspiratorit të kuzhinës, një sasi prej 300 gramës kokainë. Një prej policëve gjeti çelësin e një apartamenti tjetër që ndodhej jo shumë larg kësaj zone.
Aty, policia gjeti të fshehur në dollap, 18 thasë me 47 kilogramë kanabis. Mediat fqinje thonë se çifti i shqiptarëve synonte të shiste lëndën narkotike në zonat e plazheve përgjatë sezonit të verës.
Sasia e lëndës narkotike të sekuestruar nga autoritetet italiane, kapte vlerën e 1 mln eurove në treg./m.j