Ish Presidenti Sali Berisha u shpall sot non grata nga Britania e Madhe për lidhje me grupe të krimit të organizuar dhe pasurim përmes korrupsionit për vete dhe rrethit të njerëzve pranë tij.
Në letrën zyrtare nga Londra drejtuar zotit Berisha theksohet se ai mban lidhje me kriminelë që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë Bashkuar, të cilat ai është I gatshëm t’I përdorë për të arritur ambiciet e veta politike.
Përmbajtjen e njoftimit e bëri publike vet zoti Berisha, i cili i hodhi poshtë këto akuzua si “vazhdim i shpifjeve dhe gënjeshtrave” të sponsorizuara nga Edi Rama dhe “lobimit korruptiv” të tij dhe George Soros.
“Kjo synon kthimin e Shqipërisë në një vend pa opozitë, së cilës i rripet çdo pasuri, e nga e cila shqiptarët ikin nga sytë këmbët. Kjo synon mbajtjen në pushtet të një qeverie, më e korruptuara në Europë” – tha zoti Berisha.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi në maj të vitit të kaluar ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, për ish kryeministrin Sali Berisha e familjen e tij, për shkak të “akteve të rënda të korrupsionit” dhe “minimit të demokracisë”./VOA
/e.d